Ish-ylli i Chelseat zbulon çastin e tmerrshëm me Sarrin: Më tha të largohesha një orë para mbylljes së afatit kalimtar
Danny Drinkwater ka zbuluar se Maurizio Sarri i kishte thënë se ai nuk ishte më pjesë e skuadrës së Chelseat, vetëm një orë para se të mbyllej afati kalimtar i verës në vitin 2018.
Mesfushori anglez i ishte bashkuar Chelseat në një marrëveshje rreth 40 milionë euro nga Leicester City në verën e vitit 2017 dhe kishte hasur në vështirësi ta arsyetonte çmimin që klubi e kishte paguar për të, duke dështuar ta linte ndonjë mbresë.
Ai u largua nga të kaltrit e Londrës në fillim të këtij muaji si lojtar i lirë, pasi i mbaroi marrëveshja me klubin.
Duke folur për Sky Sports, Drinkwater kujtoi çastin më të vështirë që e kishte me Sarrin gjatë afatit kalimtar të verës 2018.
“Në orën e fundit të afatit kalimtar, më kërkuan në zyre, gjë që nuk e prisja aspak”, kujtoi Drinkwater.
“’Mendoj se nuk jeni në planet tona’. Ky ishte Sarri, për të cilin përkthente Gianfranco Zola. Dhe unë i thashë, ‘Çfarë?’”
“Iu thashë atyre, ‘Pse po më thoni tani? Një orë para se afati të mbyllet? Kam nevojë për kohë. Ai u përgjigj, ‘Jo, ne kemi gjetur klube për ty jashtë vendim’. Reagimi im ishte, ‘Jo, e kam një djalë të ri këtu. Ai është prioriteti im’. Prandaj vendosa të qëndroj”, tregoi ai.
Drinkwater e bëri vetëm një paraqitje nën urdhrat e Sarrit atë sezon, kur luajti 30 minuta kundër Manchester City në Community Shield. Në përgjithësi, ai i kishte bërë vetëm 23 paraqitje për të kaltrit, duke e shënuar një gol.
Sarri u largua nga Chelsea pas vetëm një sezoni, duke u kthyer në Itali për ta marrë drejtimin e Juventusit.
Trajneri italian nuk ishte në gjendje ta zbatoi lojën e futbollit që donte në Premierligë, megjithëse e fitoi Ligën e Evropës me Chelsean.