S'pranoi ta drejtonte Malin e Zi përballë Kosovës, tani pranë një angazhimi të ri në federatën serbe - NACIONALE

S'pranoi ta drejtonte Malin e Zi përballë Kosovës, tani pranë një angazhimi të ri në federatën serbe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ljubisa Tumbakovic sa ishte përzgjedhës i Malit të Zi në vitin 2019 nuk kishte pranuar që ta drejtonte ekipin kundër Kosovës. Tani ai është shumë afër që ta marrë një pozitë të re në federatën serbe.

Kur Kosova po zhvillonte kualifikimet e rregullta për Euro 2020 – ndeshjen e dytë e luante në Podgoricë, në qershor të 2019-ës, e cila mbaroi me rezultat 1:1.

Nga ajo ndeshje, përveç lëndimit të rëndë të Arbër Zenelit, mbahet mend edhe tërë vigjilja që u shënua me dramaticitet të madh, për shkak se në momentet e fundit ish-përzgjedhësi i Malit të Zi, Tumbakovic, si dhe dy lojtarë tjerë të etnisë serbe, kishin refuzuar të zbrisnin në fushë për t’u përballë ndaj Kosovës.

Kësisoj, në një klimë të acaruar dhe me siguri të sofistikuar nga organet e rendit të Malit të Zi, u zhvillua edhe ajo ndeshje mes dy kombëtareve. Vetëm pas pak ditësh erdhi edhe largimi nga stoli i Malit të Zi nga Tumbakovic, i cili nuk e pranonte se kishte qenë viktimë e presionit të Serbisë për të dezertuar asisoj.

Gjithsesi, e vërteta doli në shesh më vonë. Ajo qasje duket se i ka dhënë edhe më shumë simpati në Serbi. Trajneri beogradas jo veç që mori drejtimin e Serbisë për një periudhë tranzitore pak javë pas atyre ngjarjeve, por tashmë së shpejti do të rikthehet në një pozitë të re në federatën serbe.

Siç raportojnë mediet në Serbi, Ljubisa Tumbakovic është propozuar për të qenë në krye të Organizatës së Trajnerëve.

Ai u pushua nga puna në vitin 2020, pasi dështoi të kualifikohej në Euro 2020, për shkak se u mposht nga Skocia në penallti në finale të play-offit.

Dezertor si trajner dhe përjetimi i Kosovës si "makth"

Tërë çfarë mbahet mend si trajner nga 70-vjeçari është pikërisht dezertimi në ndeshjen kundër Kosovës sa ishte në krye të stafit teknik malazez.

Pasi ishte hedhur shorti për kualifikimet e Euro 2020 deklaronte se Kosova po i shkaktonte makth dhe se nuk e kishte kapërdirë aspak mirë të qenët në një grup me “dardanët”.

“Kur është në pyetje Kosova, është vërtet një makth. Si të vendosem, si ta drejtoj atë ndeshje. Vërtet nuk i ka ardhur mirë asnjërit nga ne pesë delegatët që kemi qenë atje në short. Kam makthe. Besoj se njësoj u ndodh edhe atyre që bashkëpunojnë me mua. Si do të përfundojë gjithë kjo, në këtë moment, sinqerisht as unë nuk e di”, pohonte Tumbakovic.

Me ose pa vullnetin e tij, kjo nuk kishte aspak rëndësi, Kosova zhvilloi dy ndeshjet kundër Malit të Zi, ku doli me 4 pikë, pasi 1:1 përfundoi sfida e parë në Podgoricë, ndërsa ajo e kthimit në Prishtinë u mbyll 2:0 në të mirë të “dardanëve”.

Kosova atë grup e mbyllte në pozitën e tretë me 11 pikë të grumbulluara, ku deri në 180 minutat e fundit ishte mbajtur gjallë ëndrra për një kualifikim thjesht përrallor, deri sa nuk erdhi disfata kundër Republikës Çeke në udhëtim me rezultat 2:1.

Në çdo rast, prapëseprapë Kosova me ish-përzgjedhësin Bernard Challandes kishte shënuar një sukses dukshëm më të madh sesa Mali i Zi i Tumbakovicit, që grupin e mbyllte në pozitën e fundit me vetëm 3 pikë të arkëtuara, pa asnjë fitore të regjistruar.

Lajme të ngjashme