Sociedadi e mposht Real Madridin, mbretërit rrezikojnë ta humbin vendin e dytë
Real Sociedadi ia ka shkaktuar humbjen e shtatë të kësaj sezone Real Madridit, duke e mposhtur me rezultat 2:0. Kjo humbje për mbretërit do të thotë se ata tani nuk e kanë të sigurt pozitën e dytë në La Liga, me Atletico Madrid që është dy pikë prapa me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Pasi humbi një javë më parë nga Girona me rezultat 4:2, skuadra e Carlo Ancelottit u kthye te fitoret në fundjavë duke mposhtur Almerian, por seria e rezultateve pozitive nuk zgjati shumë.
Sociedad ishte për një nuancë skuadra më e mirë në fushë, duke krijuar shanse më shumë, teksa kishte edhe posedimin e topit në anën e tyre, por edhe një karton i kuq në pjesën e dytë për Dani Carvajal, e bëri punën më të lehtë për vendasit.
Pjesa e parë e takimit përfundoi pa gola, pa pasur diçka për të veçuar, teksa me të filluar pjesa e dytë, Eder Militao bëri një gabim, duke tentuar ta kthente topin te portieri, përfitoi ish-lojtari i mbretërve, Takefusa Kubo, i cili lehtësisht shënoi për 1:0.
Pak minuta më vonë, Carvajal u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve, saktësisht në minutën e 61-të, duke bërë punën e vështirë drejt përmbysjes së rezultatit.
Për të shuar çdo shpresë u kujdes Barrenetxea, i cili shënoi për 2:0 në minutën e 85-të të takimit, i asistuar nga David Silva.
Me këtë rezultat përfundoi takimit dhe tani Real Madridi rrezikon shumë ta humbë pozitën e dytë nga Atletico Madrid, e cila zhvillon nesër ndeshjen ndaj Cadiz, teksa Barcelona me vetëm një fitore në ndeshjen e radhës shpallet kampion i La Ligës.
Në anën tjetër, Real Sociedad është shumë afër ta sigurojë edhe matematikisht një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

