Mbretërit bëjnë hap fals, Girona e ‘shkatërron’ Real Madridin
Girona e ka mposhtur me rezultat 4:2 Real Madridin, me të gjithë golat të shënuar nga sulmuesi argjentinas, Valentin Castellanos për vendasit, kështu mbretërit kanë bërë një hap fals në luftën për titullin kampion, duke i mundësuar Barcelonës sërish një shkëputje prej 14 pikëve.
Real Madridi nuk dinte për humbje në katër ndeshjet e fundit, duke bërë që të hynte sërish në luftë për titull me Barcelonën e gjithashtu duke siguruar gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, por tani Girona ia ka dalë ta mposhtë me rezultat të thellë.
Mbretërit dominuan takimin sa i përket posedimit të topit, por dështuan të krijonin raste të rrezikshme, ndërsa Girona në pesë raste sa kishte, katër i konkretizoi në gol.
Epërsinë 1:0 Girona e mori në minutën e 12-të, ndërsa shumë shpejt në minutën e 24-të ata dyfishuan epërsinë, me të dy golat të shënuar nga Casetllanos.
Vinicius Junior arriti ta kthente shpresën te skuadra e Ancelottit, kur shënoi për 2:1 në minutën e 34-të, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë.
Por, shpresa e mbretërve nuk zgjati shumë, pasi me të filluar pjesa e dytë, ishte Castellanos ai që shënoi për 3:1, duke realizuar het-trik.
Sulmuesi argjentinas nuk u ndal me kaq, pasi ai shënoi edhe golin e katërt në minutën e 62-të, duke çuar rezultatin në 4:1.
Krejt çfarë Real Madridi bëri, ishte edhe një gol i shënuar nga Lucas Vazquez në minutën e 85-të për 4:2, që ishte epilogu final i takimit.
Real Madridi vijon të mbetet në pozitën e dytë në La Liga, me 11 pikë më pak se Barcelona, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Girona ngjitet në pozitën e nëntë përkohësisht.


