Skitarja austriake zgjodhi Kosovën para Suedisë, Estonisë dhe Bullgarisë, zgjedhja e saj vlerësohet sensacionale
Sophie Sorschag, skitarja e disiplinës nordike, mbrëmë u njoftua se do ta përfaqësojë Kosovën. Kampionia austriake ka preferuar ta përfaqësojë vendin tonë para shteteve si Suedia, Estonia dhe Bullgaria.
Kosova çalon shumë në sportet dimërore, por prapëseprapë ka arritur që ta bindë një kampione të vërtetë siç është Sophie Sorschag që të garojë me flamurin tonë shtetëror. Ajo më 2021, në gara ekipore, gjegjësisht në disiplinën nordike (kërcim me ski), kishte arritur që me Austrinë të siguronte medaljen e artë.
24-vjeçarja vendosi të tërhiqet nga përfaqësimi i Austrisë pas një lëndimi të rëndë nëntë mujor që pësoi në ligamentet e gjurit, gjë që shkaktoi edhe mosftesën në garat që u zhvilluan në pranverën e vitit të shkuar.
Një përjashtim nga skuadra që ajo nuk e mori aspak mirë. Dy muaj më vonë njoftoi zyrtarët e Federatës Skitare të Austrisë që kishte vendosur që karrierën e saj ta vazhdonte duke përfaqësuar një vend tjetër, meqë vlerësonte se i ishin mbyllur dyert. Që atëherë ajo ka punuar në drejtim të ndryshimit të kombësisë.
“Është mëkat për ne, sepse jemi munduar që ta mbajmë në gjirin e skuadrës sonë, por në muajin qershor ajo personalisht ka kërkuar që t’i mundësohet ndryshimi i kombësisë”, kishte deklaruar drejtori sportiv Mario Stecher, i zhgënjyer me vendimin e Sorschag.

Sidoqoftë, mediet ndërkombëtare që mbulojnë këtë disiplinë sportive, si “Ski Springen”, raportojnë se kjo zgjedhje e kampiones botërore në gara ekipore është sensacionale.
Madje, sipas mediumit në fjalë ajo ka qenë e lidhur edhe me një interesim të vendeve si Suedia, Estonia dhe Bullgaria, por në fund ka zgjedhur Kosovën.
Sipas të njëjtit medium, për shkak të procedurave burokratike dhe të rregullores të garave, debutimi i saj me Kosovën mund të shtyhet deri në sezonin veror. Pra, ajo nuk do të mund të jetë gati për Kampionatin Botëror në disiplinën nordike të skijimit. Ngjarje kjo që fillon nga 22 shkurti dhe zgjat deri më 5 mars.
“Për çdo ndryshim të kombësisë duhet të njoftohemi deri në fund të majit. Përveç tjerash, personi duhet të jetë në posedim të shtetësisë së re të paktën prej gjashtë muajsh”, qartësonte kohë më parë sekretari gjeneral i Federatën Ndërkombëtare të Skijimit, Michel Vion.
Gjithsesi, vlen të rikujtohet se kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, ishte ai që arriti ta bindë vetë sportisten, ashtu sikur edhe përfaqësuesit e saj, që ta pranonin ofertën e tyre, në mënyrë që 24-vjeçarja austriake të garojë tani e tutje në ngjarjet më të rëndësishme të skijimit nordik me flamurin e shtetit të Kosovës. Një objektiv tashmë i arritur.
