La Austrinë për ta përfaqësuar Kosovën, Sorschag dy muaj më parë tregoi edhe arsyen - NACIONALE

La Austrinë për ta përfaqësuar Kosovën, Sorschag dy muaj më parë tregoi edhe arsyen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lajmi i mbrëmjes në sportin kosovar erdhi nga Federata e Skitarisë së Kosovës (FSK), e cila njoftoi se ka arritur marrëveshje me skitaren e disiplinës nordike (kërcim me ski) Sophie Sorschag. Megjithatë, ky vendim ishte i paralajmëruar tërthorazi.

Kampione e botës në garën ekipore më 2021 në kërcim me ski (disiplinë nordike). Austrisë ia solli një medalje të artë në garën në fjalë falë kontributit të saj.

Megjithatë, pas dy vjetësh ajo gjen vetën duke bërë një zgjedhje drastike në karrierë, duke vendosur që të ndryshojë përfaqësim. Ajo hoqi dorë nga Austria për Kosovën. Në gjithë këtë vendim ekziston një arsye e fortë.

Bëhet fjalë për një lëndim të rëndë që skitarja austriake kishte pësuar para disa kohe, e që e la atë nëntë muaj jashtë aktivitetit. Thyerja e ligamentit të gjurit bëri që Austria të mos e ftonte në garat në vazhdim që u zhvilluan në prillin e vitit të kaluar.

“Fatkeqësisht për mua dera e kombëtares vetëm se është e mbyllur. Më 27 prill kam qenë e përjashtuar nga Kombëtarja e Australia. Isha krejtësisht e papërgatitur për këtë rrethanë të re të krijuar. Për këtë arsye, e edhe sepse dua të kem një karrierë në sportin tim të dashur, kam kërkuar që ta ndryshoj kombësinë”, kishte thënë ajo, pa cekur se për cilën kombësi ishte fjala.

Pra, një prononcim të tillë ajo e kishte dhënë në mediet austriake gjatë nëntorit të vitit të kaluar. Skitarja austriake ka bërë sakrificë të madhe edhe në aspektin juridik, pasi siç dihet, Austria lejon vetëm pajisjen me një pasaportë. Ajo është dashur të heq dorë nga pasaporta austriake, për ta marrë atë të Kosovës.

Vetë krerët e Federatës të Skitarisë së Austrisë kishin shprehur zhgënjimin e tyre të madh në lidhje me këtë vendim që kishte marrë Sorschag.

“Është mëkat për ne, sepse jemi munduar që ta mbajmë në gjirin e skuadrës sonë, por në muajin qershor ajo personalisht ka kërkuar që t’i mundësohet ndryshimi i kombësisë”, kishte deklaruar drejtori sportiv Mario Stecher.

Spekulohej se ishte shumë afër që t’i bashkohej Estonisë, por siç duket Federata e Skitarisë së Kosovës është treguar syhapur dhe ka arritur ta mbyllë shumë shpejt marrëveshjen në fjalë.

Këta të fundit sot, në mbrëmje, zyrtarizuan këtë afrim të madh, duke thënë se 24-vjeçarja do të “fluturojë” për Kosovën tani e tutje.

"Federata Skitare e Kosovës në krye me kryetarin, z. Milaim Kelmendi, arritën marrëveshje me skitaren e disiplinës nordike( kërcim me ski) Sophie Sorschag që të përfaqësojë Kosovën në ngjarjet më të rëndësishme të skijimit nordik me flamurin e shtetit të Kosovës", thuhet në komunikatën e tyre.

Lajme të ngjashme