Simeone: Kudo që luan Messi është vendimtar, me të në fushë ke më shumë mundësi për të fituar
Diego Simeone ka folur në konferencë për shtyp në vigjilje të derbit kundër Barcelonës. Ai u pyet edhe rreth bashkëkombësit të tij, Lionel Messit, për të cilin edhe një herë shprehi fjalë të mëdha.
Nuk është ndonjë gjë e re se Simeone gëzon respekt enorm për Messin, për të cilin kaherë ka thënë se është futbollist i jashtëzakonshëm dhe më i miri në qarkullim.
Njëra prej pyetjeve që iu shtrua sot në konferencë për shtyp nga gazetarët spanjollë ishte nëse Barcelona pa Messin është më pak e rrezikshme. Ai dha një shpjegim të tij në lidhje me këtë çështje.
“Kudo që të jetë Messi është vendimtar, qoftë në kombëtare, në skuadrën aktuale apo në Barcelona. Me një lojtar të karakteristikave të Messit ke më shumë gjasa për të fituar”, tha ai.
Madje, trajneri i Atletico Madridit bëri edhe një analogji me Maradonan dhe kohën kur ai ishte vetë si futbollist aktiv si pjesë e kombëtares argjentinase.
“Kur kam luajtur Kupën e Botës me Maradonan, që vetëm se ishte veteran në atë kohë, kishim ndjesinë që ishte e vështirë për ne të pësonim humbje, sepse kishim më të mirën në radhët tona. Kështu që, nëse ke më të mirin pjesë të skuadrës është gjithnjë më e lehtë të fitosh”, u shpreh Simeone.

Atletico Madridi për momentin zë pozitën e katërt tabelore me 27 pikë të arkëtuara. Distanca me skuadrat që janë në krye të tabelës, respektivisht Barcelonën dhe Real Madridin, është prej 11 pikëve.
Ndeshja e nesërme mund të jetë një ogur i mirë për Simeonen që ta përdorë terrenin vendës si shtysë për t’i arritur pikat e plota dhe për ta ngushtur dallimin në pikë me Barcelonën në këtë rast.
Aq më shumë duke ditur se Barcelona do ta vuajë edhe mungesën e yllit të saj në sulm, gjegjësisht Robert Lewandowskit, pezullimi prej tre ndeshje moslojë i të cilit u konfirmua gjatë mesjavës nga Tribuna Administrativ Sportiv i Spanjës.

