Konfirmohet pezullimi i Lewandowskit, Barcelona e pakënaqur me vendimin
Tribunali Administrativ Sportiv në Spanjë është mbledhur sot për ta shqyrtuar vendimin e marrë për tre ndeshje pezullim të Robert Lewandowskit. Vendim ky që u rikonfirmua edhe një herë. Barcelona ka shfaqur pakënaqësitë e veta.
Viti 2023 nuk ka nisur në formën më të mbarë të mundshme për katalonasit. Pasi mbyllën vitin kalendarik 2022 me një barazim që la shije të hidhur, tani skuadra e Xavit para vetës ka edhe probleme të tjera.
Bëhet fjalë për pezullimin e yllit të saj kryesor, Robert Lewandowski. Një pezullim ky që do ta lërë atë jashtë fushës në tri ndeshjet e ardhshme.
Ai do të mungojë në ndeshjet kundër Atletico Madrid, Getafe dhe Girona. Ky vendim nuk ka peshë për ndeshjet e Kupës së Mbretit, kështu që vlen vetëm për ato të kampionatit.
Lewandowski do të rikthehet tek më 1 shkurt kundër Betisit. Megjithatë, nuk përjashtohet skenari që dënimi të jetë më i lehtë, pasi Barcelona po studion mundësinë e ankimimit.
Një vendim i tillë u kumtua gjatë pasditës së sotme, pasi mbledhja e Tribunalit Administrativ Sportiv filloi në ora 13:00.
Xavi gjatë ditës kishte deklaruar se do shpresonte që të mund të llogariste në shërbimet e sulmuesit polak për ndeshjen e ardhshme kundër Atletico Madridit.
“Po, kam besim që do të mund të luajë kundër Atletico Madridit”, tha ai kur u pyet nga gazetarët.

Sidoqoftë, verdikti i gjykatës ishte tepër i rëndë si për futbollistin, ashtu edhe vetë për skuadrën që për momentin mban epitetin e lideres në La Liga.
Zanafilla e këtij pezullimi daton nga ndeshja kundër Osasuna. Barcelona ishte e bindur që Lewandowski nuk e kishte ofenduar askënd nga zyrtarët e ndeshjes. Kështu vendimin e Federatës së Futbollit të Spanjës klubi katalonas e kontestoi dhe lëndën e dërgoi në TAD (Tribunalin Administrativ Sportiv). Këta të fundit nuk ndryshuan asnjë presje nga vendimi i federatës, duke mbetur i njëjti si i plotfuqishëm.
