Si i kushtuan Ballkanit kundër Klaksvikut përgatitja e dobët fizike, mungesa e përvojës dhe karakterit fitues - NACIONALE

Si i kushtuan Ballkanit kundër Klaksvikut përgatitja e dobët fizike, mungesa e përvojës dhe karakterit fitues

1 javë më parë

nga Ekrem Idrizi

Ta shohësh një skuadër kosovare duke bërë futboll të shkëlqyer në Evropë është paksa gjë e rrallë, por ta shohësh atë duke u rraskapitur në gjysmë të pjesës së dytë është gjëja më e zakonshme. Kjo është ajo çfarë Ballkani, kampioni i Kosovës, pasqyroi dje kundër Klaksvikut në dy pjesë në përballjet e tyre kualifikuese në Ligën e Konferencës.

Listen to "Përgatitja e dobët fizike dhe papërvoja e Ballkanit në Evropë – Podcast me trajnerin kondicional Mirena" on Spreaker.

Për shumicën e kohës, deri gjysmë ore para përfundimit, Ballkani e bëri klubin nga Ishujt Faroe Klaksvik të dukej shumë inferior në përballjen e tyre të ndeshjes së parë të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës të enjten në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Pas gjysmë ore mbizotërimi të plotë, Nazmi Gripshi e theu akullin për skuadrën e Ilir Dajës duke shënuar me kokë pas një harkimi brilant, para se Meriton Korenica ta dyfishonte epërsinë rreth dhjetë minuta më vonë. Albion Rrahmani e shënoi atë që ishte goli i tij i gjashtë në tri ndeshje në kualifikime dhe i treti për Ballkanin në mbrëmje në minutën e 50-të.

Por ato 70 minuta të futbollit të shkëlqyer dhe mbizotërues filluan të vyshken me kalimin e kohës dhe uria dhe besimi i vizitorëve të rritej për të nxjerrë një rezultat që do t’ua mbante shpresat gjallë për kualifikim në play-off në ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Liridon Mirena, i cili është trajner kondicional, ka thënë për Nacionalen se përgatitja e dobët fizike dhe mungesa e përvojës e karakterit fitues ndikuan që Ballkani t’i pranonte dy gola në mënyrë

“Pika e parë është përvoja. Pika e dytë, ajo çfarë më pengon mua, është se çdo vit skuadrat që luajnë në kualifikime po e bëjnë të njëjtin gabim. Për të luajtur në Evropë duhet të jesh i përgatitur mirë fizikisht. Është bërë zakon që ekipet kosovare të pësojnë prej minutës së 60-të e tutje”, tha Mirena.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi, pasi dy ndërprerje i kushtuan me pranimin e dy golave tejet naive skuadrës nga Suhareka. Pall Andrasson Klettskard shënoi dy herë në minutat 70-të dhe 89-të. Së pari ia u la i vetëm dhe i pambuluar të godasë nga rreth pesë metra largësi për golin e parë, para se të shënonte të dytin duke e futur topin në portën boshe në shtyllën e dytë, pasi ai kishte kaluar fare pranë hundëve të portierit dhe futbollistëve vendas.

Sapo gjërat filluan të përmbysën për Ballkanin, lojtarët e kampionit të Kosovës nuk kishin një lider në fushë i cili do ta qetësonte situatën dhe t’i merrte frenat e skuadrës në dorë për ta ruajtur epërsinë komanduese.

Mirena për Nacionalen theksoi: “Ata (Klaksvik) treguan karakter sportiv dhe karakter fitues dhe e panë se loja e Ballkanit filloi të binte dhe ata morën zemër, prandaj nuk mjafton vetëm përgatitje fizike por nevojitet dëshira dhe karakteri fitues, gjë të cilën s’e ka Ballkani. Ekipi i Ishujve Faroe e pa që Ballkani ndihej nën presion dhe nuk ishte më në gjendje ta mbante topin siç duhet për shkak të lodhjes”.

Pranimi i dy golave aq naive nënkupton se Ballkani – i cili synon të bëhet klubi i parë kosovar që arrin të kualifikohet në një garë evropiane – ia ka koklavitur vetes punët për ndeshjen e kthimit në Ishujt Faroe javën e ardhshme dhe Mirena është skeptik nëse kampioni kosovar mund t’ia dalë në një terren të vështirë ishullor.

“Sikur të përfundonte 3:0 kisha pasur shpresa shumë. Por 3:2 është telash, për shkak të kohës atje dhe tani fillon presioni i madh sepse lojtarët janë papërvojë dhe nuk janë mësuar me këtë presion. Kundërshtari do të sulmojë prej fillimit dhe do të luajë futboll më të ashpër nga fillimi”, beson ai.

Përveç Dritës, e cila ka treguar futboll të fortë dhe ka luftuar deri në frymën e fundit pavarësisht se është përballur me kundërshtarë shumë më serioz, klubet e tjera kosovare e kanë shfaqur mungesë karakteri dhe gjendje të dobët fizike në paraqitjet e tyre në Evropë.

Llapi dhe Gjilani u rrëzuan në rrethin e parë nga klube shumë më të vogla dhe Mirena thekson se klubeve kosovare iu mungon profesionalizmi kur vjen puna te përgatitje fizike e skuadrës dhe beson se ato nuk po mësojnë nga gabimet e tyre të përsëritura.

“Unë i vë faj trajnerit dhe stafit të tij për këtë (pranimin e dy golave). Pse klubet kosovare e bëjnë gabimin e njëjtë çdo vit, pse mos të mësojnë. Tani klubet kanë edhe trajnerë kondicionalë të licencuar në Shqipëri, por puna e tyre nuk po vërehet, më vjen keq. Trajnerët kondicionalë duhet ta marrin ekzekutivin në dorë vetë, e hëna dhe e marta duhet të jenë ditët e tyre, e jo të përzihet kryetrajneri duke thënë ‘po ma ngarkoni lojtarin’. Trajneri kondicional duhet ta marrë përgjegjësinë për ta përgatitur ekipin fizikisht dy ditë të javës para ndeshjeve”.

“Vetë fakti që Drita është përballur me ekipe të forta dhe më përvojë, ka mësuar shumë dhe ka marrë përvojë. Drita e di saktë se çfarë të bëjë, edhe udhëheqësinë e ka profesionale. Drita është ekipi i vetëm në Kosovë që e ka kuptuar që pa përgatitje fizike nuk mund të mbijetosh.”

Mirena udhëheq qendrën e vet sportive trajnuese, ku ai shpesh ka stërvitur lojtarë të Superligës, përfshirë Prince Balde të Dritës, i cili pati paraqitje të shkëlqyera në kualifikime këtë vit.

“Te qendra ime vijnë shumë lojtarë të Superligës dhe ndër ta ka qenë edhe Balde i Dritës. Unë kam qenë edhe nëpër klube të Superligës dhe nga përvoja ime, lojtarët aty vetëm në ngrohje para ushtrimeve kanë rënë për toke, që tregon se ata e kanë nivelin më të ulët të përgatitjes fizike”, tregoi ai.

Ballkani është skuadra e vetme kosovare e mbetur në kualifikime në një garë evropiane dhe nëse ia del ta mbrojë epërsinë prej një goli në ndeshjen e kthimit, atëherë do të bëhet klubi i parë nga Kosova që arrin play-off-in në një garë evropiane.

Lajme të ngjashme