“Shyqyr Zotit e pamë Edersonin, qenka gjallë”, komentatori arab tallet me Real Madridin
Real Madrid u turpërua të mërkurën mbrëma nga Manchester City duke pësuar humbje 4:0 për t’u eliminuar nga Liga e Kampionëve.
“Qytetarët” ishin të hatashëm nga minuta e parë duke pasur një dominim të thellë dhe për më shumë se 30 minuta qëndruan te porta madrilene.
Reali në pjesën e parë ishte në gjumë të thellë pasi nuk arrinte të krijonte asnjë rast dhe kishte vetëm 17 pasime pas 25 minutave lojë.
Tashmë është bërë një video virale e një komentatori arab, i cili pasi sheh Edersonin për herë të parë pas 27 minutave e falënderon Zotin.
“John Stones, uff – falë Zotit e pamë Edersonin. Ai është gjallë, duke goditur topin dhe qëndruar aty”.
Përndryshe, Man City siguroi finalen e madhe të Stambollit aty ku do të takohet me Interin, skuadër kjo që eliminoi AC Milanin në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 3:0.
Skuadra e Pep Guardiolas mbetet në garë për tripletën pasi me një fitore ndaj Chelseas shpallet kampion i Premierligës, do të luajë me Manchester Unitedin në finalen e FA Cupit dhe ndaj Interit në Ligën e Kampionëve.
Në rast që ia dalin, do të bëhen skuadra e dytë angleze që e arrin këtë sukses historik kurse për Guardiolan hera e dytë meqenëse ia doli me FC Barcelonën.
