Manchester City në finale, e turpëron Real Madridin në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Manchester City në finale, e turpëron Real Madridin në Ligën e Kampionëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka shënuar fitore bindëse ndaj Real Madridit për ta eliminuar nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 5:1.

Pasi ndeshja e parë përfundoi me rezultat 1:1, “Qytetarët” triumfuan bindshëm në “Etihad” me rezultat 4:0 për ta siguruar biletën që të shpie në finalen e madhe të Stambollit.

Man City ishte e jashtëzakonshme nga minuta e parë duke pasur dy raste të arta me Erling Haaland, i cili dështoi dy herë nga afërsia me Courtois që bëri dy super pritje.

Ishte Bernardo Silva që shënoi një gol të bukur pas një asistimi fantastik të Kevin de Bruyne për të kaluar kampionin e Anglisë në epërsi (23’).

Dominimi i Man Cityt vazhdoi plotësisht me Silvan që dyfishoi epërsinë duke u gjendur në vendin e duhur pas një topi të kthyer (37’).

Real Madrid e nisi shumë më mirë pjesën e dytë duke mbajtur posedimin dhe rrezikuar me anë të David Alabas, që goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë por shumë larg finalizimit.

Derisa “Los Blancos” po sulmonte, Man City realizoi edhe golin e tretë me anë të një autogoli të Eder Militaos, që e dërgoi brenda rrjetës së vet goditjen e Manuel Akanjit (76’).

Fitoren e vendasve e vulosi i sapo inkuadruari Julian Alvarez, që shënoi nga afërsia pas një asistimi perfekt të Phil Fodenit (90+2').

Kësisoj, Man City me plot meritë shkon në finalen e Stambollit, aty ku do ta pres Interi që të martën mbrëma eliminoi AC Milanin.

Finalja do të zhvillohet më 10 qershor, me fillim nga ora 21:00.

Lajme të ngjashme