“Shumë e dhimbshme”, Mikel Arteta merr përgjegjësi pasi Arsenal humbi titullin e Premierligës
Trajneri Mikel Arteta ka marrë përgjegjësi për humbjen e titullit derisa uroi Man Cityn për trofeun e Premierligës për herën e tretë radhazi.
“Topçinjtë” ishin skuadra më e mirë e sezonit duke qenë në krye të Premierligës për plot 248 ditë.
Por, nisën të humbasin pikë që nga fillimi i prillit duke lejuar Man Cityn të marrin primatin derisa me humbjen nga Nottingham, skuadra e Guardiolas u shpall zyrtarisht kampion.
“Fillimisht urime Cityt që fitoi kampionatin, por sigurisht është ditë tejet e keqe për ne pas gjithçka që kemi bërë këtë sezon”.
“Por tani duhet të përballemi me realitetin, sot dhuruam një gol dhe nuk ishim mjaftueshëm të mirë për t’i thyer ata”.
“Ne mund të luanim këtu për tre orë dhe kam ndjesinë që nuk do të ishte e mjaftueshme për t’iu shënuar”.
“Është përgjegjësia ime dhe e pranoj. Kur është e bukur është mirë, kur nuk është, ky është sporti. Numri i golave që iu kemi dhuruar kundërshtarëve së fundmi na kushtoi, por nuk mund të fajësojmë dikë tjetër”.
“Duhet të mos gjejmë arsye që të fajësojmë dikë. Duhet të ishim më mirë si skuadër sidomos këto javët e fundit që kemi rënë, kjo është e sigurt”, nënvizoi Arteta.
Tutje ai shtoi: “Ky është futbolli. Është ditë shumë e keqe për ne, kemi punuar që 11 muaj për këtë qëllim dhe ishim në krye për shumë ditë”.
“Kemi garuar por nuk ishte mjaftueshme. Tani duhet të shërohemi. Është vërtetë e dhimbshme. Jam tejet i mërzitur. Duhet të gjej një mënyrë t’ua ngreh humorin lojtarëve dhe kemi një javë të vështirë përpara”.
“Kemi një përgjegjësi të madhe, të luajmë përballë tifozëve tanë që kanë qenë të pabesueshëm tërë sezonin dhe ata e meritojnë një ndeshje shumë të mirë”, përfundoi tekniku spanjoll.
