Shqipëria arrin fitoren e parë në kualifikimet për EURO 2024, e mposht Moldavinë dhe rrëmben pozitën e tretë
Shqipëria ka shënuar fitore komode me rezultat 2:0 ndaj Moldavisë në Arenën Kombëtare në Tiranë, për të marrë tre pikët e para në kampanjën kualifikuese për EURO 2024, kështu për të rrëmbyer vendin e tretë nga pozita e fundit ku ishte.
Kombëtarja kuqezi frymon ndryshe nën urdhrat e trajnerit Sylvinho dhe kjo u tregua edhe sot me një ndeshje shumë të bukur në të dyja pjesët e lojës.
Shqipëria ishte shumë kërkuese në 90 minutat e lojës, me Moldavinë që shumë rrallë doli me anë të kundërsulmeve.
Edhe pse gola në pjesën e parë nuk pati, rasti më i mirë ishte i Sokol Cikalleshit që me një goditje të fuqishme goditi traversën.
Pasi rastet nuk u konkretizuan në 45 minutat e para, kjo nuk ndodhi edhe në pjesën e dytë.
Ishte Jasir Asani që kaloi kuqezinjtë në epërsi në minutën e 52-të me një gol shumë të bukur nga distanca.
Për dyfishimin e rezultatin dhe atij përfundimtar 2:0 shënoi futbollisti i Sassuolos, Nedim Bajrami, që poashtu shënoi gol të bukur në minutën e 76-të.
Me këtë fitore Shqipëria kalon në pozitën e tretë, me pikë të barabarta me Poloninë e vendit të dytë.
Në anën tjetër, Portugalia shënoi fitore 3:0 ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës me golat e Bernardo Silvas dhe Bruno Fernandes për të mbajtur kreun e grupit J, me tri fitore nga po aq takime, ndërsa Belgjika barazoi 1:1, me Austrinë, ku Oriol Mangala shënoi autogol, ndërsa Romelu Lukaku e shpëtoi kombëtaren nga humbja.

