Shfrytëzimi i Kombëtares së Kosovës si “gomë rezervë”, Agon Sadiku dëshmia e fundit - NACIONALE

Shfrytëzimi i Kombëtares së Kosovës si “gomë rezervë”, Agon Sadiku dëshmia e fundit

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Sulmuesi 19-vjeç, Agon Sadiku, ishte pjesë e listës së përzgjedhësit Alain Giresse për dy ndeshjet miqësore të nëntorit kundër Armenisë, gjegjësisht Ishujve Faroe. Megjithatë, pa kaluar mirë as një muaj, ai pranoi ftesën e Finlandës. Dëshmia e radhës si Kosova përdorët si shtojcë.

Kosova besoi tek ai dhe e ftoi. Duke ditur tërë potencialin sulmues që kanë "dardanët", ftesa për një 19-vjeçar që luan akoma në nivelet jo maksimale të futbollit, siç është kampionati finlandez, do duhej parë si një mundësi e mirë për t’u afirmuar.

Në të dy takimet miqësore që zhvilloi Kosova në nëntor, kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe, Giresse ia dha Agon Sadikut hapësirën e titullarit. Paraqitjet e tij ishin të nivelit mesatar, por kjo nuk e zhbën faktin që zhvillimi i tij si sulmues në periudhën e fundit ka qenë për t’u lëvduar. Në sezonin paraprak të ligës nordike ai shënui 10 gola në 21 paraqitje.

Sidoqoftë, në fund të dhjetorit, me të parë interesimin e Kombëtares së Finlandës, nuk hezitoi për asnjë çast për ta pranuar ftesën e tyre, duke ia kthyer shpinën Kosovës. Sulmuesi i Honkas, natyrisht, gjeti një mal pretekstesh, sa për ta normalizuar këtë dukuri të kalimit nga një kombëtare në një kombëtare tjetër në kohë rekord.

Madje, Sadiku pa ndonjë përtesë hodhi kritika për Kosovën. Këto kritika i bëri mu nga ambientet e hotelit ku po qëndron kombëtarja finlandeze para zhvillimit të dy miqësoreve të saj gjatë ditëve në vijim, kundër Suedisë më 9 janar, respektivisht Estonisë më 12 janar.

“Paksa dukur që Kosova nuk ka qenë e sigurt nëse më dëshironte ose jo. Shkova për të luajtur në dy ndeshje, por nuk dukeshin të sigurt që më donin dhe se çfarë plani kishin për mua”, tha ai.

Në prononcimin e tij përmendi edhe përzgjedhësin Giresse: “Fola edhe me përzgjedhësin e kombëtares dhe dukej se nuk ekzistonte një plan më i gjatë se ai (i dy ndeshjeve që zhvilloi në nëntor).”

Sadiku tha se do të shohë se si do të shkojnë edhe këto dy ndeshje tjera miqësore me kombëtaren finlandeze për të menduar pastaj përfundimisht se cilën kombëtare ta përfaqësojë. Gjithsesi, në dy ndeshjet e ardhshme që do t'i luajë Finlanda ai njashtu shpresoi që do të debutojë.

Kosova, opsion i fundit dhe klithmë pazari

Në vitet e fundit, fatkeqësisht, nga agjentë të lojtarëve, nga prindërit apo nga vetë lojtarët – Kombëtarja e Kosovës është konceptuar si një mundësi e mirë për të qenë në qendër të negociatave në mesin e disa federatave që konsiderojnë afrimin e tyre në kombëtaret respektive.

Rasti më i mirë janë futbollistët me prejardhje nga Kosova në Zvicër, që në kurriz të Kosovës, e paksa edhe të Shqipërisë, kanë rritur pazarin në negociatat me kombëtaren helvete.

Disa nga ta edhe i ishin vetofruar Kosovës dhe në formë dinake, shpeshherë edhe ishin bërë pjesë e emisioneve sportive kosovare, duke u imponuar në një farë forme. I pari që na kujtohet është padyshim Andi Zeqiri. Për ditë të tëra familja Zeqiri është prononcuar e zotuar në mediet kosovare se gjithçka ishte kryer dhe se ai do të ishte futbollist i Kosovës.

Po, deri në momentin kur me të kaluar këto lajme në shtypin zviceran, Federata e Futbollit të Zvicrës mori masat për ta afruar në gjirin e saj. Edhe atëherë brenda një muaji Zeqiri përfundonte të ishte pjesë e listës së lojtarëve të ftuar nga Zvicra. E vetmja reminishencë e tij me Kosovën mbetet kjo fotografi e shkrepur me të parin e FFK-së gjatë vitit 2020.

Ndonëse me më pak dramaticitet, por ngjashëm kishte vepruar edhe Kemal Ademi. U pa shumë i afër dikur me kombëtaren “dardane”, por kur erdhi momenti i ftesës, bëri një kthim mbrapa, pasi edhe një herë Zvicra në formë të përshpejtuar lansonte lajmin se Ademi menjëherë do të ishte i gatshëm për ta përfaqësuar ngjyrat e helvetëve. Pra, në kohën kur ishin shtuar zërat për afrimin e tij te Kosova, në një mesditë të rëndomtë vere Zvicra tregonte publikisht se gjithçka kishte përfunduar në të mirën e saj.

Pra, Agon Sadiku nuk përbën lajm. Kosova si “gomë rezervë” dhe opsion i fundit është përdorur vazhdimisht në nëntë vitet e fundit prej që "dardanët" luajnë ndeshje zyrtare të pranuara nga FIFA.

E tillë vazhdon të konsiderohet edhe nga shumë talentë të tjetër, që interesimin e Kosovës e shohin si një klithmë për të zgjuar ndonjë këmbanë alarmi te federatat e vendeve ku kanë lindur dhe janë rritur, për ta bërë kështu një zbythje pa menduar gjatë.

Natyrisht se e pafajshme në krejt këtë “rrjedhje lojtarësh” nuk është edhe Federata e Futbollit të Kosovës, ngase në shumë raste ka reaguar me vonesë, pa arritur që të jetë e gatshme t’i bindë këta lojtarë që të afrohen, e më pastaj edhe të inkuadrohen në fushë në ndeshje kualifikuese për t’i bllokuar ata - nëse përdorim zhargonin futbollistik.

Lajme të ngjashme