FFK interesohet për Agon Sadikun, por lojtari dhe babai i tij preferojnë Finlandën
Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar interesimin për qendërsulmuesin e FC Honka, Agon Sadiku, por ky i fundit preferon Finlandën para fanellës “Dardane”. Këtë gjë e konfirmoi agjenti i tij Ole Martin për Gazetën Nacionale.
Që nga koha e Mirlind Dakut, Kombëtarja e Kosovës U21 është duke pasur probleme të vazhdueshme për të gjetur një qendërsulmues, e kjo u vërejt më së miri gjatë kualifikuesve të fundit për Kampionat Evropian – ku përfunduam në pozitën e katërt.
Djemtë nën urdhrat e Albert Bunjakit zhvilluan lojë të bukur në disa ndeshje, por mungoi konkretizimi i rasteve me Mark Marlekun, Ardit Tahirin dhe Baton Zabergjën që nuk ishin në vendin dhe kohën e duhur gjatë momenteve të caktuara.
Kosova U21 ashtu siç treguam dje, është në ‘gjah’ për një 9sh – e në këtë listë ndodhet edhe Agon Sadiku i Finlandës U21, pavarësisht që ende nuk kanë nisur kontaktet zyrtare me agjentët e lojtarit.
Federata e Futbollit të Kosovës në një përgjigje për Gazetën Nacionale ka konfirmuar interesimin për Sadikun, por që e vlerësojnë si situatë të vështirë – edhe pse jo të paarritshme.
“Ne kemi kontakt dhe njohuri për Agonin natyrisht. Z. Sojeva, menaxheri i Kombëtares U21, ka kontakt direkt me të, mirëpo, meqë Agoni është në U21 të Finlandës, nuk është e lehtë kalimi te U21-shet e Kosovës”.
“Kjo gjë mund të ndryshojë në të ardhmen meqenëse po flasim për një lojtar shumë të mirë dhe të talentuar. Po ashtu ai (Agoni) është i kënaqur për interesimin tonë dhe e vlerëson lartë atë”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Por, për dallim nga përgjigja e FFK-së – agjenti i lojtarit, Ole Martin për Gazetën Nacionale tregoi se si lojtari ashtu edhe prindi i tij duan një gjë – që është të luajnë në fanellën e Finlandës. Ndryshe nga konstatimi i zyrtarëve të FFK-së, Martin theksoi se ende nuk kanë pasur kontakte zyrtare me palën kosovare, por bën të ditur se momentalisht nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar në mënyrë që lojtari të mos ndjejë presion.
“Po, Agoni me origjinë është nga Kosova, por Federata e Futbollit të Kosovës nuk na ka kontaktuar. Agoni dhe babai i tij, që të dytë shpresojnë që ai të luajë për Finlandën, edhe pse asnjë vendim nuk është marrë”.
“Nuk kemi dashur të diskutojmë në media në mënyrë që të mbrojmë Agonin dhe që të mos ketë presion për zgjedhjen e tij në këtë fazë”, nënvizoi agjenti për Nacionalen.
Burimet e gazetës Nacionale, në bazë të informatave të siguruara nga shumë agjentë të ndryshëm qendërsulmuesish nëpër Evropë, kanë bërë të ditur se janë konktatuar muajve të fundit nga FFK, por se janë në fazën e shyqrtimit të opsioneve që i kanë në tavoline.
Redaksia ynë e sportit, duke u thirrur gjithnjë nga këto kontakte, ka mësuar se ekziston një koncentrim i madh te disa qendërsulmues të rinj që luajnë konkretisht në Gjermani, por qasja duket e ndërlikuar dhe po merr kohë më shumë sesa që duhej, meqë po luhet me kartën e famshme, atë që njihet: pra, pritjen e pafundme të vetë futbollistëve në fjalë për të parë dhe shpresuar nëse njëmend do të ftohen nga kombëtaret e shteteve përkatëse.
Asnjë sulmues qëndror, i cili ka luajtur në fushatat kualifikuese të Kombëtares U21 të Kosovës nga 2017 qëkur kanë filluar ato - asnjëherë nuk ka arritur të depërtojë te Kombëtarja A, për të luajtur në ndeshje zyrtare, pa llogaritur ato miqësore. Një mos kapërcim i tillë është parë e metë e madhe dhe kjo ka ndodhur vetëm me atë rol të fushës. Andaj edhe orvatjet për të siguruar një lojtar të kalibrit të Sadikut shkojnë në drejtim të atij qëllimi.
Kush është Agon Sadiku?
Me vetëm 19 vjeç, Agon Sadiku ka nisur të marrë pozitën e titullit te Honka, skuadër që garon në divizionin e parë në Finlandë, Vekkausligga.
Gjatë edicionit 2021/22, qendërsulmuesi i gjatë 1.84 metra, ka bërë nëntë paraqitje duke gjetur katër herë golin, ku shumicën e këtyre takimeve i kishte si titullar.
Ai gjithashtu ka zhvilluar edhe gjashtë paraqitje në Kupën e Finlandës, duke gjetur tre herë golin në gjashtë paraqitje.
Së fundmi, Sadiku u ftua nga përzgjedhësi i Finlandës U21, Juha Malinen ku zhvilloi tre paraqitje (151 minuta) dhe shënuar një gol kundër Azerbajxhanit U21.
Përpos pozitës së qendërsulmuesit, Sadiku në të kaluarën ka luajtur edhe në dy role të tjera, si mesfushor ofensivë apo sulmues i krahut të djathtë.