“Rrofshin rusët” - Babai i Novak Djokoviqit pozon me bandën ruse të Vladimir Putinit në Australian Open - NACIONALE

“Rrofshin rusët” - Babai i Novak Djokoviqit pozon me bandën ruse të Vladimir Putinit në Australian Open

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Srdjan Djokoviq, babai i tenistit serb Novak Djokoviq, është parë duke u fotografuar me përkrahësit e Vladimir Putinit në Australian Open të mërkurën mbrëma.

Policia e Viktorias i dëboi katër burra nga Melbourne Park të mërkurën, të cilët brohorisnin dhe mbanin pankarta në përkrahje të Vladimir Putinit dhe Rusisë në shkallët e fushës kryesore Rod Laver Arena.

Në mesin e shumë flamujve serbë që ata valëvitën ishin disa rusë dhe një me fytyrën e Putinit në të.

Para se katër përkrahësit e Kremlinit të dëboheshin, Srdjan Djokoviq u takua me ta jashtë stadiumin Rod Laver Arena dhe bëri fotografi me një tifoz që e kishte veshur një fanellë me simbolin “Z” në gjoks, i cili e mbante në dorë edhe një flamur rus me një fotografi të madhe të fytyrës së Putinit.

Në video, e cila u postua në rrjetet sociale, Srdjan Djokoviq dëgjohet duke thënë “zivjeli Russiyani”, apo “rrofshin rusët”, para se të largohet.

Njeriu me të cilin Srdjan shihet duke qëndruar po ashtu ka të veshur një fanellë me logon e bandës ruse të motoçikletave “Ujqerit e Natës”. Ai e nis video-mesazhin duke e përshëndetur nga Melbourne presidentin ndërkombëtar të kësaj bande motoçikletash, Alexander Zaldostanov.

Zaldostanov është mik i ngushtë personal i Putinit i cili, së bashku me bandën e vet, u godit me sanksione nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar.

Flamujt rusë dhe bjellorusë janë të ndaluar gjatë ndeshjeve në Australian Open, ndërsa lojtarët e këtyre dy vendeve garojnë nën flamuj neutral gjatë këtij grand slami, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Sot, Policia e Viktorias konfirmoi se i kishte përzënë katër persona nga Melbourne Park.

Policia bisedoi me katër burra pasi një flamur rus u pa në shkallët e stadiumit rreth orës 22:10 të mërkurën më 25 janar. Të katër burrat u dëbuan nga aty”, tha policia australiane.

Në vitin 2020, Djokoviqi u kritikua që e kishte pranuar Urdhrin e Republikës Srpska për punën e tij në promovimin e tenisit në rajon, pavarësisht se në të kaluarën me këtë urdhër ishin nderuar kriminelë serbë të dëbuar për krime lufte.

Tenis Australia i ka paralajmëruar tenistët dhe ekipet e tyre të enjten, pas publikimit të fotografive të Djokoviqit me pro-rusët, të mos bëjnë një gjë të tillë.

Lojtarët dhe ekipet e tyre janë njoftuar dhe u është kujtuar rregullorja për flamujt dhe simbolet dhe i është kërkuar të shmangin çdo situatë që ka mundësi të shkaktojë çrregullime”, ka thënë Tenis Australia.

Lajme të ngjashme