Thuhej se ishte me shëndet shumë të dobët, Rusia e liron ish-marinsin amerikan
Rusia ka liruar një ish-marins amerikan, i cili ishte burgosur në vitin 2022 dhe për të cilin thuhej se ka shëndet tepër të dobët.
Robert Gilman, nga Massachusetts-i, u lirua “nga ndalimi për arsye humanitare” dhe u dërgua me një aeroplan amerikan drejt Uashingtonit të martën, sipas Kiril Dmitrievit, emisar i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin, raporton televizioni BBC.
Senatori nga Massachusetts-i, Ed Markey, tha në rrjete sociale se Gilmani ishte duke luftuar “me një rast të rëndë të pneumonisë” para se të lirohej.
Gilmani ishte 28 vjeç, kur ishte arrestuar për shkelm ndaj një polici, përderisa ishte i dehur në një tren për në Moskë.
“Përafërsisht 50 ditë më parë, Roberti u diagnostikua me mpirje disociative – problem ku ai nuk reagon dhe nuk mund të ndërveprojë ose të hajë” – tha Markey, duke shtuar se hollësitë për gjendjen e tanishme të ish-marinsit mbeten të panjohura.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se disa mjekë po përkujdesen për Gilmanin, pasi ai u kthye në ShBA dhe se një zyrtar amerikan tha që “ai duket se është në formë të mirë”.
Familja e tij po pret që ai të arrijë në një spital ushtarak në Teksas, sipas mediumit amerikan, “CBS News”.
“I jam shumë falënderuese presidentit Trump që ia shpëtoi jetën vëllait tim. Nuk ka arsye tjetër që Roberti është gjallë sot, përpos që presidenti Trump dëgjoi për rastin dhe ndërmori veprime” – tha në një deklaratë motra e tij, Lexie Hudson.