Suedia thotë se ka shkatërruar një komplot rus të spiunazhit
Shërbimi suedez i sigurisë tha të hënën se kishte bllokuar një operacion rus të spiunazhit me të cilin ishin bërë përpjekje për të ndikuar në vendimmarrje dhe për t’i diskredituar Suedinë, BE-në dhe NATO-n.
Operacioni ishte planifikuar dhe drejtuar nga shërbimi rus për inteligjencë të jashtme, SVR, dhe përfshinte tre persona që punonin nën petkun e imunitetit diplomatik, tha në një deklaratë shërbimi suedez, SAPO, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kjo është konsistente me kërcënimin që ne e shohim që paraqitet nga Rusia” – i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një zëdhënës i SAPO-s.
Ambasada ruse në Stokholm nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, kur u kontaktua nga agjencia “Reuters” përmes telefonit dhe postës elektronike.
“Ne kemi qenë në gjendje që të vëzhgojmë se çfarë ndodhi në këto takime mes individëve të përfshirë, çfarë u tha dhe çfarë detyra u dhanë” – tha zëdhënësi i shërbimit suedez.
“Ata nuk janë më në Suedi dhe ne kemi qenë në gjendje që ta thyejmë këtë operacion” – shtoi ai.
Zëdhënësi refuzoi të jepte ndonjë informatë të mëtejme për operacionin apo për veprimet e ndërmarra nga shërbimi i sigurisë.