Roger Federer jep hollësi për pensionimin: Për një çast nuk besova më se mund të vazhdoja - NACIONALE

Roger Federer jep hollësi për pensionimin: Për një çast nuk besova më se mund të vazhdoja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roger Federer thotë se vendimin për t’u pensionuar e mori pasi i humbi besimi se do të mundë të vazhdonte të luante për shkak të lëndimeve.

Fituesi i 20 titujve grand slam ka vendosur ta varë reketin në gozhdë pas turneut Laver Cup këtë fundjavë në Londër, raporton Nacionale.

Zvicerani, 41 vjeç, nuk ka luajtur tenis që prej Wimbledonit 2021, pas të cili u detyrua ta operojë gjurin për herë të tretë.

“Tri vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira. E dija se po ecja në fije të perit që prej pjesëmarrjes së fundit në Wimbledon”, tha Federer për BBC.

Legjenda e tenisit shtoi: “U përpoqa të rikthehem por isha i kufizuar në atë që mund ta bëja. Dhe nuk besova më, të jemi sinqertë me ju”.

Federeri tregoi se kishte bërë një fotografim të gjurit së fundmi dhe rezultati nuk doli siç shpresonte ai: “Shumë shpejt e kuptova se kaq ishte”.

“Pastaj vjen pyetja: si ta bësh dhe kur ta bësh njoftimin? Në këtë çast u bë realitet. Ishte në rregull por stresuese”.

“T’i shkruaja ato fjalë ishte sikur rehabilitim”

Tetë herë kampioni i Wimbledonit njoftoi pensionimin përmes një komunikate në rrjetet sociale të enjten e kaluar.

“Kanë qenë disa javë emocionale duke u munduar t’i përdor fjalët e duhura, të cilat pasqyrojnë mënyrën se si ndihem unë dhe për t’i falënderuar njerëzit që më kanë ndihmuar gjatë rrugës”, tha Federer.

“Gjithmonë i kam larguar nga koka mendimet e pensionimit. Thosha, sa më shumë që mendoj për të, aq më afër pensionimit jam dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të shkoj në punë, pra si lojtar tenisi, prandaj do të merremi me këtë kur të vijë koha. Dhe erdhi. Dhe unë u mora me të”.

Ai nënvizoi: “Mendoj se t’i shkruaja ato fjalë ishte edhe si rehabilitim për mua”.

Tani i cilësuar si njëri ndër më të mirët në historinë e tenisit, Federeri thotë se kurrë nuk iu fut tenisit duke parafytyruar se do të kishte kaq shumë sukses dhe pasi arriti kaq shumë, ishte i lumtur të largohej.

Ai qëndroi numër një në botë për 310 javë – përfshirë 237 javë pandërprerë që është rekord – dhe i fitoi 103 tituj.

“Nuk mendoj se dikush rritet duke menduar se do të fitojë kaq shumë. Je i lumtur ta fitosh një titull në Wimbledon, që është çmenduri, apo të jesh numër një, më i miri”.

“Ti nuk mendon për javët e shumta si numër një, janë mediat dhe tifozët që flasin për rekordet”.

Lajme të ngjashme