Roger Federer: Një legjendë që e arriti perfeksionin në sport - NACIONALE

Roger Federer: Një legjendë që e arriti perfeksionin në sport

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Duhet ta pyesësh veten nëse ai është nga i njëjti planet.”

Gjatë 20 viteve të kaluar nuk ka qenë vetëm Novak Djokovici ai i cili ka pyetur veten nëse Roger Federeri ishte përpunuar dhe hedhur në Fushën Qendrore nga perënditë e tenisit.

Të mëdhenjtë shkëlqejnë në sport.

Federeri, i cili njoftoi se do të pensionohet nga tenisi në fund të këtij muaji, ishte njëri prej atyre të paktëve të cilët mund të të tërhiqnin dhe të mbërthenin prej zemrës, derisa në të njëjtën kohën e arrinin perfeksionin.

Të tjerët mund të kenë fituar më shumë tituj grand slam – ta lëmë debatin për GOAT (më të mirin në histori) për një ditë tjetër – por për shumë njerëz, Federer, një lojtar i vrazhdët në rininë e tij, ishte vetë sporti në çastin e tij më të mirë.

Me një forehand elegant dhe plot hirësi, me një shërbim tejet të përpiktë apo me përshëndetjen e tij aristokrate me dorë drejt turmës, legjenda zvicerane fitoi përkrahës si askush tjetër para tij.

Ai i mësoi aftësitë e mëdha në fushat e Qendrës Kombëtare të Tenisit Zviceran në Basel.

Si djalosh i ri, ai ishte tejet i talentuar por i njohur për temperamentin e tij. Thuhet se ai ishte ndëshkuar me pastrimin e tualeteve pasi e kishte hedhur reketin në moshën 16-vjeçare.

Tani ai mund të jetë një kujtim i largët, por prirja e tij për temperamentin e keq vazhdoi edhe në etapën e hershme të karrierës së tij si profesionist.

“M’u deshën rreth dy vite për ta gjetur atë zjarre dhe akull. Zjarrin për të fituar por akullin për t’u qetësuar dhe për ta pranuar disfatën dhe gabimet e këqija. Pastaj karriera ime arriti kulmin”, tha Federer në vitin 2018.

Në të vërtetë, kur Federeri e gjeti këtë formë, loja e tij jo vetëm që e arriti kulmin, por vazhdoi drejt një stratosfere tjetër.

Pasi bëri emër si 19-vjeçar duke e mposhtur Pete Samprasin në Wimbledon 2001 dhe një vit pas vdekjes se trajnerit të vet të parë në një aksident me veturë, Federeri e fitoi titullin e parë nga tetë rekord në Wimbledon në vitin 2003 – dhe qau gjatë intervistës për ta bërë një komb të tërë ta dashurojë.

Në katër vitet pasuese, Federeri i fitoi 11 prej 16 titujve të mundshëm grand slam në një periudhë mbizotërimi që ky sport nuk e kishte parë kurrë.

Tetë tituj të tjerë grand slam erdhën në 11 vitet në vazhdim por tregimi i Federerit, dhe popullariteti i tij, u formësuan edhe nga rënies tronditëse po ashtu.

E para erdhi në vitin 2008 kur ai u mposht në Fushën Qendrore nga Rafael Nadal në finale – një meç me pesë sete që nga shumë cilësohet si njëra prej ndeshjeve më të mira në historinë e tenisit.

Gjashtë muaj më vonë kur spanjolli ia mohoi një titull tjetër në Australian Open, zvicerani shpërtheu në lot.

“O zot, kjo po më vret”, tha ai.

Një i madh u detyrua t’i shprehte ndjenjat.

Por në qershor 2009, Federeri u kaplua nga emocionet përsëri – këtë herë me lot gëzimi – pasi reagoi ndaj disfatës së mëparshme duke e fituar titullin e parë dhe të shumëpritur në French Open.

Kjo ia kompletoi karrierën grand slam, një tipar i arritur vetëm nga pesë tenistë në të kaluarën, edhe pse Nadali dhe Djokovici e arritën më vonë po ashtu.

Tri triumfe të tjera pasuan shpejt, përfshirë një fitore kundër Andy Murray emocional në Wimbledon 2012, oir oër oesë vite pasuese, dukej sikur numri i titujve grand slam i Federerit do të mbetej 17, pasi shenjat e para të lëndimeve serioze filluan të shfaqen në karrierën e tij.

Çfarë do të pasonte, megjithatë, ishte një periudhë e dytë e artë për Federerin – një më e shkurtër por jo më pak e shquar.

Tani në moshën 35-vjeçare, pas gjashtë muajve larg tenisit shkaku i lëndimit të gjurit, ai e fitoi Australian Open 2017, Nadali, natyrisht, ishte kundërshtari i tij në një ndeshje tjetër triller me pesë sete.

Pasi një pike me forehand Federeri kërceu dhe bërtiti nga gëzimi i pabesueshëm, derisa bota e shijoi një tjetër përballje mes rivalëve të mëdhenj të shndërruar në miq.

Titulli i tetë në Wimbledon dhe i gjashtë në Australian Open pasuan në 12 muajt vijues.

Trashëgimia e Federerit në tenis natyrisht se do të binjakëzohet me ato të Nadalit dhe Djokovicit, të cilët e pushtuan ahengun vetjak të zviceranit në krye të tenisit të burrave dhe e shndërruan në një ngjarje të tre personave.

Federeri e vendosi rekordin për më së shumti grand slam, 20, por derisa ai po vuante nga lëndimet në tri sezonet e fundit, spanjolli dhe serbi e kaluan duke fituar dy dhe një më shumë përkatësisht.

Gjatë gjithë kësaj kohe, megjithatë, Federeri ka qenë numër një për tifozët por edhe për sponsorët.

Ai qëndron përkrah Lionel Messit, Cristiano Ronaldos, LeBron James dhe Tom Brady në listën e sportistëve më të pasur.

Federeri jo vetëm që ka shkëlqyer në këtë sport, por edhe e ka tejkaluar atë.

Kudo që ka shkuar, Federeri është brohoritur nga spektatorët, askund si në Wimbledon këtë vit kur zbriti në Fushën Qendrore në mesin e shumë legjendave për ta festuar 100-vjetorin e saj.

E tillë është jetëgjatësia e tij në tenis, saqë dy gjenerata të ndryshe nuk e mbajnë në mend një peizazh sporti pa të.

Federeri do të luajë për herë të fundit në një turne profesional, në Laver Cup në fund të këtij muaji.

Tifozët e tenisit do të zbresin në Londër, qoftë edhe vetëm për ta thënë një gjë:

“Faleminderit Roger, për të gjitha kujtimet”.

Lajme të ngjashme