Raphael Varane beson se Manchester Unitedi mund ta fitojë Premierligën sivjet
Mbrojtësi Raphael Varane beson se Manchester Unitedi mund ta fitojë Premierligën këtë sezon, pas fitores me rikthim sensacional kundër rivalit Manchester City të shtunën.
Unitedi e mundi 2:1 kampionin në fuqi falë dy golave të shpejtë në fund të ndeshjes në Old Trafford dhe Varane beson se tani gjithçka është e mundur në garën për titull.
Djajtë e kuq janë në vendin e tretë tani, nëntë pikë larg liderit Arsenal dhe një pikë mbrapa Cityt, kur kanë mbetur edhe 20 ndeshje për t’u zhvilluar deri në përfundim të sezonit në ligë.
Për dallim nga trajneri i vet Erik ten Hag, i cili tha se skuadra ende ka të meta dhe nuk është në garë për titull, Varane beson se gjithçka mund të ndodhë.
“Gjithçka është e mundur. Ne do t’i shkojmë kësaj pune ndeshje pas ndeshjes. Rruga është e gjatë dhe shumë e vështirë. Intensiteti i çdo lojë është i jashtëzakonshëm. Është ritmi i njëjtë i lojës si në Ligën e Kampionëve, në çdo ndeshje. Ritmi është shumë i lartë”, tha Varane.
Ai shtoi: “Ne e dimë sa e vështirë është. Po ne jemi të fortë, të qëndrueshëm. Ne thjesht duhet t’i shfrytëzojmë lojtarët cilësorë me top”.
Skuadra e Ten Hagut u rikthye nga disavantazhi i një goli për ta mposhtur kampionin në fuqi.
“Pas golit që pranuam, ne nuk pranuam ta ulim kokën poshtë. Ne e dinim se e kishim energjinë e tifozëve. Ne vazhduam me planin tonë. Pastaj e shënuam golin dhe ai ndryshoi gjithçka. Old Traffordi është stadium me atmosferë të shkëlqyer”, shtoi ai.
Ndeshjet e vështira do të vazhdojë për Unitedin, pasi pas përballjes në udhëtim me Crystal Palace, do të jetë derbi me rivalin dhe liderin Arsenal në Stadiumin Emirates.
