Manchester United me rikthim triumfon ndaj Manchester Cityt - NACIONALE

Manchester United me rikthim triumfon ndaj Manchester Cityt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester United ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në derbin ndaj rivalit lokal, Manchester City, sa i përket kryendeshjes së xhiros së 20-të në Premierligë.

Derbi anglez ishte tejet interesant nga minuta e parë me dy skuadrat që kërkonin golin, me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 2:1.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi pasi asnjëra skuadër nuk i konkretizojë rastet.

Man United ishte më kërkuese duke pasur një rast të mirë përmes Marcus Rashford, i cili kaloi edhe portierin, por pastaj dështoi të shënonte.

Nga ana tjetër, te mysafirët rrezikoi Erling Haalang - goditja e të cilit u devijua në fund.

Ishte Jack Grealish që vetëm tre minuta pasi hyri në fushë shënoi me kokë pas një asistimi fantastik të Kevin de Bruyne për t'i dhënë epërsinë Man Cityt (60').

Sidoqoftë, Man United nuk u dorëzua duke provuar përmes disa aksioneve të shpejta dhe arriti ta barazojë rezultatin përmes mesfushorit sulmues Bruno Fernandes që u asistua nga Casemiro (80').

Goli fillimisht u anulua pasi u mendua për një pozitë jashtë loje, por pastaj ndërhyri VAR-i duke e pranuar.

Vetëm dy minuta më vonë, talenti Alejandro Garnacho për mrekulli gjeti të harruar sulmuesin në formë Marcus Rashford, i cili e kishte të lehtë të shënonte nga afërsia për të përmbysur rezultatin (82').

Pas këtij goli, Man United arriti të mbrohej nga sulmet e shpeshtuara të "Qytetarëve" për të arkëtuar pikët e plota.

Tani, Man City vazhdon të renditet e dyta me 39 pikë, vetëm një më shumë se "Djajtë e Kuq" që zënë pozitën e tretë me 38 sosh.

Në xhiron e radhës, dy skuadrat do t'i zhvillojnë ndeshjet që u suspenduan në xhiron e shtatë. Man United është mysafir i Crystal Palace, derisa Man City ka punë me Tottenhamin.

Lajme të ngjashme