Prishtina e mund Gjilanin për ta fituar Kupën e Kosovës për herë të tetë rekord
Prishtina e ka mposhtur Gjilanin 2:0 në finale të Kupës së Kosovës, duke e rritur mbizotërimin e madh në këtë garë.
Genc Hamiti dhe Mërgim Pefqeli shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e dytë për t’ia siguruar Prishtinës trofeun e kupës në Stadiumin Fadil Vokrri të hënën.
Ky është titulli i tetë rekord për Prishtinën në historinë e garës, si dhe i katërt pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA – po ashtu më shumë se çdo skuadër tjetër.
Besa dhe Feronikeli i fuzionuar në Feronikeli 74 vijnë pas bardhekaltërve me nga tre tituj secila.
Për pjesën më të madhe të ndeshjes, rreth 70 minuta, skuadrat nuk treguan pothuajse asgjë dhe munguan mundësitë e shënimit.
Por Hamiti prishi monotonin e madhe duke e thyer akullin kur shënoi për epërsinë e skuadrës së Debatik Currit në minutën e 67-të me një goditje vollej i papenguar brenda zonës.
Pefqeli e dyfishoi epërsinë me mbase golin e karrierës, duke e mposhtur portierin Enea Koliçi me një goditje të jashtëzakonshme në qoshen e lartë të portës nga rreth 25 metra largësi.
Gjilani shënoi ndër rastet e rralla që pati rreth 10 minuta para fundit, por goli me kokë i Mevlan Zekës u shfuqizua nga VAR-i pasi sulmuesi ishte në pozitë jashtë loje.
Triumfi në Kupën e Kosovës nënkupton se Prishtina siguron pjesëmarrjen në rrethin e dytë kualifikues për Ligën e Konferencës, megjithëse nuk është licencuar nga Federata e Futbollit e Kosovës për garat evropiane.
Por klubi kryeqytetas synon të bëjë ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër ndaj vendimit të FFK-së.
Në fillim të ndeshjes, tifozët ultras të Prishtinës, Plisat, i kritikuar udhëheqësit e klubit bardhekaltër duke i fajësuar për gjendjen nëpër të cilën po kalon klubi.
“Armiku i klubit është vet kryesia”, shkruhej në një baner të vendosur nga Plisat në tribunat e Stadiumit Fadil.
Gjiganti i Superligës ka qenë në telashe të vazhdueshme financiare dhe nuk po kalon kohë të mira.
Bashkëpronarët Remzi Ejupi dhe Rrahman Haradini nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për tejkalimin e krizës financiare as pas suksesit që klubi e gëzoi kur e fitoi titullin dhe përfitoi financiarisht nga kualifikimet në Ligën e Evropës para dy sezoneve.
Prishtina mohon të ketë telashe financiare dhe pretendon se i ka plotësuar kushtet, duke paralajmëruar ankesë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër.
Për më tepër, Prishtina - së bashku me Ferizajn, Dukagjinin dhe Trepçën '89 - janë duke u hetuar nga organët shtetërore për përfshirjen e dyshuar në kurdisjen e dy ndeshjeve të ditës së fundit të sezonit 2022/23 në Superligën e Kosovës.
Prishtina dyshohet se ai lëshoi lojën Trepçës '89, duke i pranuar dy gola të shpejtë në fund të takimit, pasi po fitonte 1:0, për të humbur në fund 2:1.
