“Personi i përsosur” – Guardiola shumë i gëzuar që krahu i tij i djathtë është kthyer te Manchester City
Pep Guardiola është shfaqur tejet i emocionuar që ish-asistenti i tij, Juanma Lillo, është kthyer përsëri në rolin e tij te Manchester City. Trajneri spanjoll e quajti atë person të përsosur për të punuar së bashku.
57-vjeçari ka qenë prej kohësh i lidhur me Guardiolën. Megjithatë, verën e kaluar ai u largua nga Etihad për të marrë postin drejtues në Al Sadd Sports Club në Katar. Manchester City tani e ka ri-nënshkruar atë për të ndihmuar Guardiolën, pasi tekniku spanjoll do të tentojë ta mbrojë me sukses tripletën historike të fituar në sezonin 2022-2023.
Juanma Lillo returns to City as part of @PepTeam’s backroom staff ✍️
— Manchester City (@ManCity) August 4, 2023
Lillo iu bashkua Cityt në vitin 2020 nga Qingdao Huanghai dhe kaloi dy vjet me klubin. Gjatë asaj periudhe, ai ndihmoi ‘Qytetarët’ të fitonin dy tituj të Premierligës dhe një Kupë të Ligës. Ai ishte gjithashtu pjesë e stafit stërvitor që e shtyu klubin e Manchesterit në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2021, ku në fund humbën nga Chelsea.

“Juanma sheh gjëra që askush tjetër në lojë nuk i sheh. Ai e kupton futbollin në një nivel të jashtëzakonshëm, kështu që ai është personi i përsosur për mua për të punuar së bashku. Unë kam qenë gjithmonë i frymëzuar nga ai – njohuritë e tij për futbollin, inteligjenca dhe humanizmi i tij e dallojnë atë si një person shumë të veçantë në jetën time – dhe ne kemi një ideologji të përbashkët. Ai është një mik, një koleg dhe një frymëzim. Jam shumë, shumë i lumtur që ai është kthyer këtu te Manchester City. Përgatitja e tij për ndeshjet është absolutisht e mahnitshme. E di që ai do të rrisë standardet sepse punon shumë çdo ditë”, tha Guardiola për faqen zyrtare të klubit.
Lillo ka drejtuar Guardiolën gjatë kohës së tyre së bashku në Meksikë në Dorados de Sinaloa.
Juanma Lillo do ta fillojë periudhën e tij të dytë në Manchester City të dielën me përballjen e Community Shield kundër Arsenalit në Wembley.