Përmbledhja e Ligës së Kombeve: Ndahen në paqe Italia me Gjermaninë, Hungaria befason Anglinë
Sot, u luajtën ndeshjet e radhës që ishin në program në Ligën e Kombeve, respektivisht në ligat A, B dhe C, ku spikatën ndeshjet Hungari : Angli dhe klasikja evropiane Itali : Gjermani.
Raporti i ndeshjes Itali 1:1 Gjermani
Ndeshja mes dy rivalëve të përbetuar, Italisë dhe Gjermanisë, solli një shfaqje futbollistike jo në lartësinë siç jemi mësuar t'i shohim ato historikisht. Madje, as shkëlqimin më nuk e kanë si më parë.
Gjithsesi, ndeshja filloi me Gjermaninë që shfaqte më shumë mbizotërim për ta kontrolluar topin dhe diktuar rrjedhën e lojës.
U deshën plot 15 minuta lojë për ta parë shkëndijën e parë. Këtë e dha Gjermania me anë të Gnabry, i cili pas një aksioni individual të frytshëm, goditi në drejtim të portës "axurre", por gjeti Donnarumman e përgatitur, duke shmangur rrezikun.
Italia mundohej që përmes kundërsulmeve ta ndërtonte filozofinë e saj të lojës, e shtyrë paksa edhe nga pafuqia për të dëshmuar diç më shumë.
Kësisoj, në minutën e 35-të Italia iu afrua golit, me sulmuesin e ri të Sassuolos, Scamacca, goditja e të cilit përfundoi në shtyllë.
Gjermania me qarkullim të topit përpiqej që t'i gjente zonat e lira në gjysmëfushën italiane. Gnabry koordinoi një goditje vollej, por e njëjta përfundoi mbi trasversalen e portës italiane.
Me portat e patundura kombëtaret shkuan në pushimin mes dy pjesëve.
Pjesa e dytë nisi me një lojë më dinamike. Të dy ekipet kombëtare ishin të pakënaqura me rrjedhën e 45 minutave të para.
Italia filloi të sulmonte më shumë. Këtë e bëri sërish përmes Scamacca në minutën e 47-të, i cili u mundua që me kokë të shënonte golin e epërsisë, por topi doli jashtë shtyllës së majtë të Gjermanisë.
Italia tetë minuta më vonë u shfaq e rrezikshme edhe me Politano, i cili nga një distancë e afërt nuk ia doli të jetë klinik për ta dërguar topin në rrjetë.
Kjo lojë e Italisë i dha frytet e veta në minutën e 70-të. Sulmuesi i ri debutues, Gnonto, harkoi për mrekulli tokazi, ku gjeti të lirë Pellegrinin. Ky i fundit nga 2 metra afërsi shpiu topin brenda kuadratit të portës, për ta çuar në epërsi Italinë me rezultat 1:0.

Sido që të jetë, vetëm tre minuta zgjati deliri i "të kaltërve", pasi Gjermania shumë shpejt e barazoi rezultatin me Kimmich, i cili nuk gaboi para portës, duke u gjendur siç ishte më së miri dhe duke konkretizuar në mënyrë efikase rastin e dhënë.

Në minutat e mbetura të ndeshjes publiku vendas në Dall'Ara mundohej që t'i jepte përkrahjen e nevojshme futbollistëve të kombëtares italiane për të kërkuar që ta rikthenin epërsinë në favorin e vet, por diçka e tillë nuk ndodhi.
Gjyqtari fishkëlloi për fundin e ndeshjes, me kombëtaret respektive që u deshën të kënaqen me një barazim 1:1 në ndeshjen e parë që e luajtën në grupin 3.
Raporti i ndeshjes Hungari 1:0 Angli
Pjesa e parë kishte ritëm të kënaqshëm të lojës, sado që rastet për shënim mungonin nga të dy anët. Mirëpo, që të dy kombëtaret bënin përpjekjet e tyre për ta gjetur golin e shënimit. Goditjet nga distanca dhe përpjekjet për t'i gjetur të lirë sulmuesit qëndrorë respektivë, shkuan huq.
Kështu që, orvatjet për ta zhbllokuar rezultatin dolën të pasuksesshme, përkundër një dominimi të lehtë nga anglezët.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin pa gola 0:0.
Në pjesë të dytë loja filloi të fitojë më shumë gjallëri. Kjo u demonstrua qëkur lojtarët zbritën në fushë.
Hungaria filloi të marrë zemër dhe të guxojë më shumë për të sulmuar. Një gjë e tillë iu kompenzua asaj, pasi në minutën e 66-të me Szoboszlai arritën ta zhbllokojnë rezultatin nga pika e bardhë, pasi James e pengoi kundërshtarin brenda 16-metërshit.

Në vazhdim të lojës kombëtarja angleze e udhëhequr nga Southgate u përpoq të kundërpërgjigjet për ta barazuar rezultatin, por një gjë të tillë hasi në vështirësi ta realizojë, pasi gjeti një mbrojtje dhe organizim kompakt nga Hungaria.
Nga ndërprerja në minutën e 77-të rrezikoi qendërmbrojtësi Coady, pasi pranoi një harkim të mirë nga James, por topi përfundoi në shtyllën e majtë të portës hungareze.
Hungaria filloi ta koncentrojë lojën e saj edhe më shumë në kundërsulme. Me Schafer rrezikoi në minutën e 82-të, por ngutia e tij për të goditur me ta pranuar topin, bëri që në fund topi të përfundojë jashtë kornizës së portës.
Anglia dëshpërimisht u mundua ta barazojë rezultatin në minutën e 89-të me Kane, por portieri Gulacsi tregoi reflekset e duhura për ta shmangur më të keqen nga porta e tij.
Kështu që, Hungaria arriti t'i sigurojë tri pikët e plota në ndeshjen e parë të luajtur në grupin 3 të Ligës A në kuadër të Ligës së Kombeve. Një fitore të tillë kundër Anglisë ata e arrijtën pas plot 60 vitesh dhe tani janë liderë të grupit, meqë ndeshja tjetër mes Italisë dhe Gjermanisë përfundoi baras.
Kjo është gjendja tabelare në grupin 3.

Rezultatet në ndeshjet e luajtura në Ligat tjera
Liga B:
Në grupin 3 u luajtën ndeshjet e para. Finlanda dhe Bosnja u ndanë në paqe me rezultat 1:1, ku fillimisht nikoqirët kaluan në epërsi me Pukki 45+1', ndërkaq në minutat e fundit të ndeshjes rezultatin e barazoi Prevljak 90+3'.
Në ndeshjen tjetër të luajtur, Mali i Zi fitoi kundër Rumanisë me rezultat 2:0, falë golave të Mugosa 66' dhe Vukcevic 87'.
Ndërkaq, në grupin 1 u zhvillua ndeshja e vetme mes Armenisë dhe Irlandës, ku në fund vendasit ngadhënjyen me fitore minimale 1:0, falë golit të Spertsyan 74'.
Kjo është gjendja tabelare në grupet 1 dhe 3.


Liga C:
Në këtë Ligë gjatë ditës së sotme u luajtën ndeshjet e para në grupin 1.
Lituania shënoi humbje në terren të saj, duke u mposhtur nga Luksemburgu me rezultat të pastër 0:2, me golat e Sinani 44', 78'.
Në ndeshjen tjetër të luajtur në kuadër të këtij grupi Turqia fitoi lehtë dhe bindshëm kundër Ishujve Faroe me rezultat 4:0, ku në listën e golashënuesve u regjistruan Under 37', Dervisoglu 47', Dursun 82', Demiral 85'.
Kjo është gjendja tabelare në grupin 1.
