Për Antwerpin përballja me Dritën “modeste” është mbase më e rëndësishmja e sezonit - NACIONALE

Për Antwerpin përballja me Dritën “modeste” është mbase më e rëndësishmja e sezonit

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Klubi belg Antwerp po e cilëson përballjen me Dritën në kualifikime për Ligën e Konferencës si mbase ndeshjen e vitit, megjithëse sezoni i ri edhe nuk ka filluar praktikisht. Shefi ekzekutiv i Antwerp, Sven Jaecques, nuk mund ta parafytyrojë një disfatë të mundshme kundër klubit kosovar.

Drita do ta presë Antwerpin sonte në stadiumin Fadil Vokrri për ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues, e trimëruar nga barazimi pa gola në ndeshjen e parë në Belgjikë javën e kaluar.

“Ne duam, duhet dhe do të vazhdojmë patjetër,” thotë shefi ekzekutiv i Antwerpit Sven Jaecques.

Por barazimi në stadiumin Bosuil i jep klubit nga Gjilani një mundësi të vërtetë për të kaluar në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, dhe për ta vazhduar synimin për t’u bërë klubi i parë kosovar që arrin të kualifikohet në një garë evropiane.

Dhe megjithëse se belgët e quajnë klub modest Dritën, ata po bëhen gati për ndeshjen e vitit, edhe pse është vetëm fundi i muajit korrik. Rrëzimi nga kualifikimet për Ligën e Konferencës kundër “Dritës modeste” nuk është opsion, thonë ata.

Sipas Jaecques, disfata e mundshme nga Drita do të nënkuptonte se gjysma e sezonit 2022/23 për Antwerpin ka mbaruar ende pa nisur mirë.

“Për arsyeje të pastra sportive dhe financiare, sezoni ynë është i planifikuar me arritje në fazën grupore në garat evropiane. Nëse kjo nuk do të ndodhë, do të ishte problem i madh, pa dashur ta dramatizoj”, tha Jaecques.

Më shumë se dy orë vonesë, pritje të gjata dhe mot shumë i ngrohtë në Kosovë, udhëtimi i belgëve drejt Prishtinës nuk ishte aspak argëtues.

Në anën tjetër, Radja Nainggolan, ish-mesfushori i Romës dhe Interit, thotë se Antwerp e ka vetëm një opsion, fitoren, dhe se disfata do të ishte turpërim për klubin e tyre.

“Eliminimi do të ishte i turpshëm për ne. Nëse nuk fitojmë (kundër Dritës), do të thotë se nuk e kemi merituar kualifikimin në fazën grupore”, tha Nainggolan.

Drita, siç e ka dëshmuar gjithmonë në kualifikime për garat evropiane, nuk lejoi të dukej inferiore as përballë klubit belg, duke bërë lojë shumë të matur dhe të sigurt në Belgjikë.

Por skuadrës së Ardian Nuhiut do t’i duhet më shumë tani; të fitojë të paktën me një gol epërsi, për të kaluar në rrethin e tretë kualifikues.

Lajme të ngjashme