Toby Alderweireld: Drita kundërshtare e vështirë, presim se do të na sulmojë shumë në ndeshjen e kthimit në Prishtinë - NACIONALE

Toby Alderweireld: Drita kundërshtare e vështirë, presim se do të na sulmojë shumë në ndeshjen e kthimit në Prishtinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi dhe kapiteni i Antwerp, Toby Alderweireld, e pranoi se skuadra e tij hapsi në shumë vështirësi kundër Dritës në barazimin pa gola në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës të enjten në Belgjikë dhe se pret që klubi kosovar ta sulmojë në ndeshjen e kthimit në Prishtinë javën e ardhshme.

Drita kishte një plan të qartë kundër klubit nga qytetit i portit belg, të kthehej mbrapa për t’u mbrojtur në mënyrë që ta shmangte disfatën para ndeshjes së kthimit në shtëpi. Skuadra e Ardian Nuhiut ishte e kënaqur ta linte Antwerpin të mbante topin por s’e lejoi asnjëherë t’ia rrezikonte portën seriozisht.

Alderweireld, i cili ka një përvojë të madhe në nivelin më të lartë të futbollit botëror si ish-mbrojtës i Tottenhamit në Premierligë, nënvizoi se skuadra e tij kishte nevojë për fat kundër kosovarëve.

“Është një ndjesi e hidhur, natyrisht. Gjithmonë dëshiron të fitosh në shtëpi. [Drita] ishte një kundërshtar i vështirë ndaj të cilit të duhet pakëz fat”, tha Alderweireld pas ndeshjes.

Për 33-vjeçarin kjo ishte ndeshje debutuese në fanellën e klubit belg, ashtu siç ishte edhe për trajnerin holandez Mark van Bommel, ish-mesfushorin e famshëm të Bayern Munich dhe Milan.

“Personalisht isha nervoz. Jam i lumtur me lojën time, edhe pse ka vend për përmirësim natyrisht”, nënvizoi Alderweireld.

Alderweireld, i cili i ka bërë 121 paraqitje për Kombëtaren e Belgjikës në karrierën e tij, pret që Drita do ta sulmojë Antwerpin në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë të enjten që vjen.

Ai theksoi: “Ne presim, po ashtu, që Drita do të na sulmojë para tifozëve të vet dhe atëherë ne do të kemi më shumë hapësira automatikisht. Javën e ardhshme do të kemi mundësi ta rregullojmë lëshimit e sotëm dhe do të bëjmë gjithçka për ta shfrytëzuar këtë”.

Drita është një nga dy skuadrat kosovare të mbetura ende në binarë për t’u kualifikuar në një garë evropiane për herë të parë në historinë e Superligës së Kosovës, bashkë me Ballkanin.

Skuadrës nga Gjilani i duhet një fitore, qoftë minimale, për të kaluar në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës, në të cilin kampioni në fuqi Ballkani është me një këmbë, pas fitores së thellë 4:0 kundër Fa Fioritas në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të martën.

Lajme të ngjashme