Pamje të tmerrshme: Tifozët e Gjilanit godasin dhunshëm me shqelma në kokë portierin e Ballkanit - NACIONALE

Pamje të tmerrshme: Tifozët e Gjilanit godasin dhunshëm me shqelma në kokë portierin e Ballkanit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndeshja mes Gjilanit dhe Ballkanit është braktisur, pas sulmit banditesk të fansave nikoqirë në portierin e Ballkanit.

Gjithçka filloi me golin e portierit të Gjilanit, Enea Koliqi, i cili shënoi në kohën shtesë për të barazuar rezultatin 1-1, në përballjen tejet të rëndësishme në garën për titull.

Me t'u shënuar goli, eskaloi gjithçka, teksa fansat u hodhën nga tribunat në fushë dhe sulmuan portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri, i cili pati nevojë për asistencë mjekësore, teksa ambulanca u fut në fushë.

Pastaj, futbollistët e Ballkanit iu drejtuan zhveshtores, por ata të Gjilanit po qëndronin në fushë.

Mirëpo, pas pak momentesh, edhe ata të Gjilanit u nisën drejt zhveshtores, para se të pezullohej ndeshja.

Shikoni momentin kur sulmohet Frashëri.

Ballkani e nisi fuqishëm ndeshjen tejet të rëndësishme, si mysafir i Gjilanit, në kuadër të javës së 27.

Ermal Krasniqi shënoi pas vetëm 27 sekonda lojë me kokë, për t'i dhënë një start elektrizues takimit.

Pas një krosimi preciz në zonë nga krahu i djathtë, Krasniqi u gjet më së miri duke drejtuar topin në rrjetë.

Në kohën shtesë, ishim dëshmitarë të disa skenave absolutisht të jashtëzakonshme.

Kjo pasi, portieri i Gjilanit, Enea Koliqi, në mënyrë sensacionale barazoi për Gjilanin.

Pas një krosimi në zonë nga këndorja të Gerhard Prognit, Koliqi kërceu më së larti, duke drejtuar topin në rrjetë, për të nxitur pamje elektrizuese që pastaj u shndërruan në të turpshme për futbollin kosovar. Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi reagoi pastaj me një deklaratë në stadiumin e zbrazët, pasi Frashëri u bë për spital.

"Nuk kom koment për incident, se për ata janë pjesa e sigurimit, ata janë përgjegjës", tha fillimisht ai.

"Nuk e pashë. Kur pashë guzhvën, vrapova. Tentojsha që t'i ndajmë, stafin e Ballkanit, stafin e Gjilanit, që ta qetësojmë situatën.

"Sa i përket ndeshjes, epo, nuk i shfrytëzuam rastet. Erdhi goli i Enea Koliqit... nuk shohim gola të tillë, por është portieri më i mirë në Kosovë. Edhe po të kish vazhdu ndeshja, ndoshta do ta përmbysnim rezultatin krejt, por u ndal ndeshja dhe tash.

"As ne nuk kemi qef me ndodhë incidente, e skena të tilla. Nuk di çka të them tjetër".

Askush nga taborri i Ballkanit nuk doli nga zhveshtorja për t'u prononcuar.

Kujtojmë se kjo ishte vetëm njëra nga dy ndeshjet e sotme në Superligën e Kosovës.

Në përballjen tjetër, Drenica ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Feronikelit.

"Kuq e Zinjtë" triumfuan me rezultat të thellë 6:0.

Meziu hapi serinë e golave pas vetëm 12 minutave lojë, ndërsa Kreshnik Uka dyfisoi eprësinë shtatë minuta më vonë (19'), rezultat më të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

Drenica vazhdoi me dominimin edhe gjatë pjesës së dytë, ku shënoi edhe katër herë të tjera.

Dushi trefishoi rezultatin në minutën e 64-të, derisa në skenë doli sërish Uka që kompletoi het-trikun (75', 88').

Fitoren e Drenicës e vulosi Sekiraqa në minutën e fundit të ndeshjes (90+3).

Me këtë fitore, Drenica renditët në pozitën e gjashtë me 35 pikë, derisa Feronikeli qëndron në fund me 12 sosh.

Tahir Lushtaku u prononcua pas mbarimit të ndeshjes, ku ekipi i doli fitues me rezultat 6 me 0 ndaj Feronikelit.

"Realisht dëshiroj t'i përgëzoj futbollistët e rinj të Feronikelit. Më vjen keq për situatën e rëndë në të cilën ndodhen, por dua të them që disa prej tyre më lanë mbresa. Ne kemi bërë disa ndryshime në formacion. Sot, kemi pasur mundësi t'i shohim nga afër disa futbollistë që kanë pasur minutazh më të vogël. Përgjithësisht jam i kënaqur me atë çfarë pashë", u shpreh trajneri drenicas.

Trajneri i Feronikelit nuk dha asnjë prononcim në përfundim të ndeshjes.

Lajme të ngjashme