Pamje: Hadërgjonaj e nis vitin me asist të bukur në Turqi, kontribuon në fitoren e Kasimpasas
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka qenë protagonist i një asisti të bukur në ndeshjen që Kasimpasa fitoi 4:1 kundër Alanyaspor.
Për mbrojtësin kosovar viti 2023 nisi me mbarësi. Ai ishte progagonist i një asisti të bukur që dhuroi për golin që vulosi një fitore të thellë të skuadrës së tij.
Hadërgjonaj në minutën e 83-të, i gjendur afër rivënies anësore në gjysmëfushën e tij, pa të lirë sulmuesin Fall, të cilin e shërbeu me një asist të gjatë tokazi.
Top ky që zuri në huti mbrojtjen e mysafirëve, duke bërë që të mos e llogaritnin mirë grackën e pozitës së jashtë lojës. Kështu, Fall me ta pranuar topin vetëm vrapoi drejt portës, duke shënuar para portës për 4:1.
GOL | Kasımpaşa 4-0 Alanyaspor
— Süper Lig - Anlık Goller (@golsuperlig15) January 4, 2023
⚽️ 83' Fall
Anlık goller ve önemli pozisyonlar için takip: @GoalHubTR pic.twitter.com/Lw0EmFb3Fp
Njëherësh, ky ishte asisti i parë në kampionat për edicionin e sivjetëm për 28-vjeçarin dardan. Ndërkaq bashkëkombësi i tij, Bersant Celina, kësaj radhe ndeshjen nuk e filloi si startues.
Ai u fut tek në minutën e 87-të, kur efektivisht gjithçka kishte mbaruar. Një vendim që erdhi edhe si rrjedhojë e paraqitjeve jo shumë bindëse të sulmuesit kosovar gjatë kësaj periudhe kohore.
Kasimpasa me këtë fitore grumbulloi 18 pikë, duke u radhitur në pozitën e 12-të tabelore. Një sezon me shumë lëkundje ky për klubin nga Stambolli.
Kujtojmë se për Hadërgjonajn ky është sezoni i tretë që luan në radhët e Kasimpasas. Ai më 25 shtator të vitit 2020 kompletonte kalimin nga Huddersfield për një shifër modeste rreth 3,5 milionë euro. Që atëherë ka qenë gjithmonë pikë referimi, duke marrë edhe përgjegjësi në skuadër siç është edhe ekzekutimi i penalltive.
Kështu, ai ka luajtur në të gjitha ndeshjet e kampionatit të sivjetëm, duke qenë përherë si titullar. Madje, pa u zëvendësuar për asnjëherë të vetme.
