Pamje: Fjalimi i Mourinhos i bëri të qanin lojtarët e Romas, pasi vendosi që ta përkujtojë legjendën italiane Vialli - NACIONALE

Pamje: Fjalimi i Mourinhos i bëri të qanin lojtarët e Romas, pasi vendosi që ta përkujtojë legjendën italiane Vialli

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Jose Mourinho ka emocionuar lojtarët dhe tërë zyrtarët e stafit teknik të Romas, në fjalimin që vendosi ta mbajë në përkujtim të legjendës italiane të futbollit, Gianluca Vialli, i cili sot vdiq. Disa nga ta nuk mbajtën as lotët.

Vdekja e ish-futbollistit të Sampdorias, Juventusit dhe Chelseat, Gianluca Vialli, ka prekur të gjithë botën e futbollit. Ai vdiq pas një beteje të gjatë me kancerin në pankreas. Në Itali mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga të gjithë.

Mesazhe ngushëllimi dhe respekt për figurën e Viallit tregoi edhe Jose Mourinho. Trajneri portugez rastisi të ishte në ambientet e qendrës stërvitore kur u kumtua lajmi i vdekjes së Viallit.

Ai menjëherë tuboi të gjithë lojtarët dhe vendosi ta mbajë një minutë heshtje, si dhe një fjalim për të nderuar veprimtarinë e 58-vjeçarit, që ndër të tjera ishte edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares së Italisë të drejtuar nga Mancini.

“E njihja mirë. Të gjithë ju që keni qenë pjesë e kombëtares italiane e njihnit mjaft mirë. Edhe më mirë sesa vetë unë. Do të ketë një minutë heshtje të dielën, por meqë e kuptuam tani, do ta bëjmë edhe këtu një gjë të tillë. Besoj që e meriton, edhe për faktin se ka këtu shumë miq të tij”, tha ai.

Këto fjalë ndikuan që një pjesë e stafit të Mourinhos dhe lojtarëve të Romas të shpërthenin në lot, duke mos arritur ta përmbanin mërzinë e lajmit të kobshëm.

Një fjalë rasti mbajti edhe kapiteni i Romas, njëherësh edhe përfaqësuesi italian, Lorenzo Pellegrini: “Bëhet fjalë për një figurë nga e cila mund të mësojmë shumë. Unë vetë kam mësuar nga ai. Sot, është një ditë e keqe. Nuk na mbetet asgjë tjetër përveç që t’i përvetësojmë mësimet e tij dhe të bëjmë të mundur që ai të jetojë brenda nesh.”

Spinazzola, Belotti dhe Cristante ishin pjesë e Euro 2020, kur Italia triumfoi në finalen e “Wembleyt”. Të gjithë këta e njihnin mirë Viallin, pasi ai shihej si një figurë unifikuese dhe krahu i djathtë i kamotshëm i përzgjedhësit Mancini.

Nga futbollistët e Romas që kishin mundur të punonin me Viallin ishin edhe Pellegrini, Mancini dhe El Shaaraway, që në faza të ndryshme kohore ishin pjesë e “Azzurri”.

Lajme të ngjashme