Shkelje mbi shkelje, tash edhe Aktgjykimin e Supremes: Qeveria e deputet-ministrave merr dhjetëra vendime ekzekutive - NACIONALE

Shkelje mbi shkelje, tash edhe Aktgjykimin e Supremes: Qeveria e deputet-ministrave merr dhjetëra vendime ekzekutive

59 minuta më parë

nga NACIONALE

Qeveria në detyrë e Kosovës, me kabinetin e saj prej deputetësh ministra, ka vazhduar të marrë vendime ekzekutive, pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Supreme që ndalon ushtrimin të dyfisht pushtetesh sipas Kushtetutës së Kosovës.

Vetëm në mbledhjen e 32-të, të zhvilluar më 12 gusht, Qeveria miratoi dhjetëra vendime me pasoja administrative, financiare dhe institucionale.

Në mesin e tyre janë vendime për rekrutime në pozita të larta publike, shpronësime, themelimin e komisioneve dhe ndarjen e 100 mijë eurove për DokuFest.

Qeveria gjithashtu miratoi themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë dhe vendime që lidhen me prona dhe projekte publike.

Aktgjykimi i Supremes

Instituti Kosovar për Demokraci e konsideron këtë vendimmarrje të kundërligjshme, duke e lidhur drejtpërdrejt me përbërjen aktuale të kabinetit.

“Problemi kryesor qëndron te vetë ‘kabineti qeveritar’ që i ka marrë”, tha Eugen Cakolli nga Instituti Kosovar për Demokraci.

Sipas tij, 19 nga 21 anëtarët e Qeverisë në detyrë janë tashmë deputetë të certifikuar, duke krijuar konflikt ndërmjet funksionit ekzekutiv dhe atij legjislativ.

“Vazhdimi i tyre në funksione ekzekutive bie drejtpërdrejt ndesh me nenin 72 të Kushtetutës”, tha Cakolli.

Ai argumenton se mandatet qeveritare të këtyre zyrtarëve kanë përfunduar me certifikimin e tyre si deputetë.

“Çdo vendim i marrë prej tyre, qoftë si ministra veçmas apo kolektivisht si anëtarë të Qeverisë, është marrë pa autoritet ligjor”, deklaroi Cakolli.

Ky pretendim mbështetet edhe në një precedent të Gjykatës Supreme, e cila vitin e kaluar shfuqizoi një akt të Ministrisë së Financave.

Në aktgjykimin e 7 korrikut 2025, Supremja e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ për pajisjet elektronike fiskale, të nxjerrë nga ministri/deputet Hekuran Murati.

Gjykata konstatoi se Murati ishte certifikuar si deputet më 27 mars 2025, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdonte të ushtronte detyrën e ministrit.

“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar”, thuhet në aktgjykim.

Supremja përcaktoi se nxjerrja e aktit nga një person që mbante të dyja funksionet ishte e kundërligjshme dhe në shkelje të Kushtetutës.

“Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore”, thuhet në vendim.

Gjykata shtoi se akti ishte në kundërshtim edhe me “parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”.

Aktgjykimi gjithashtu kufizon kompetencat e një qeverie në detyrë, duke përjashtuar miratimin e akteve të reja nënligjore normative.

Sipas Gjykatës, qeveria në dorëheqje mund të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe ato të planifikuara në dokumentet përkatëse shtetërore.

Megjithatë, Qeveria në detyrë ka vazhduar vendimmarrjen, përfshirë procedura për emërime në pozita të larta drejtuese.

Cakolli kërkon që vendimet e marra pas certifikimit të deputetëve të dokumentohen dhe të kontestohen në gjykatë.

“Çdo ditë vonesë po e kthen shkeljen e Kushtetutës në metodë të qeverisjes dhe paligjshmërinë në mjet për vazhdimin e pushtetit”, tha ai.

Edhe Instituti Kosovar për Drejtësi e ka trajtuar aktgjykimin si precedent për papajtueshmërinë ndërmjet funksionit të deputetit dhe atij qeveritar.

Lajme të ngjashme