Vdes legjenda italiane Vialli
Legjenda e Italisë dhe Chelseat, Gianluca Vialli, ka vdekur në moshën 58-vjeçare, pasi fillimisht ishte diagnostikuar me kancer pankreatik.
Sëmundja e tij u shfaq në vitin 2020, por gjithsesi ai mori një rol në kombëtare, ku së bashku me Roberto Mancinin e udhëhoqën Italinë drejt shpalljes kampion në Evropianin që u mbajt vitin e kaluar.

Gjendja e tij u përkeqësua dhe në dhjetorin e 2022 ai u largua nga roli i tij në Kombëtare, për t’iu nënshtruar një trajtimi në spital, për largimin e kancerit, të cilin legjenda e quante ‘mysafir të padëshiruar’.
Vialli kishte një karrierë shumë të lavdishme, ku në theks të veçantë bie periudha me Chelsean, ku luajti për tri vite, e në vitin e fundit ishte lojtar dhe trajner, për të vazhduar më pas vetëm si trajner.
Karriera e tij filloi si 16-vjeçar me Cremonesen, ku kaloi katër vitet e tij të para si futbollist profesionist, pastaj për të kaluar në Sampdoria për tetë vite, Juventus katër vite dhe në fund Chelsea për tre vite.
Me të kaltrit e Londrës ai shënoi plot 40 gola në 88 paraqitje në të gjitha garat, para se të fitonte trofe të mëdhenj me skuadrën nga Stamford Bridge.

Me Chelsean e filloi zejen e trajnerit, për ta përfunduar shumë shpejt, pasi menaxhoi vetëm edhe Watfordin gjatë sezonit 2001/2002.
Gjatë tërë karrierës së tij ai zhvilloi mbi 500 ndeshje dhe shënoi afër 200 gola, me klub dhe kombëtare.
Suksesi më i madh i tij me kombëtare si lojtar ishte medalja e bronztë në Kupën e Botës 1990 me Italinë, ndërsa në Evropianin e 2020 ishte pjesë e stafit, më saktësisht shef i delegacionit, ku në finale mposhtën Anglinë me penallti, për t’u kurorëzuar kampion evropian.

Gjatë tërë karrierës së tij, ai fitoi një dy tituj të Serie A-së, katër Kupa të Italisë, dy Superkupa, një Ligë të Kampionëve, dy UEFA Cups që tani quhet Liga e Konferencës e shumë suksese tjera.
Në vitin 2015 ai iu bashkëngjittë shumë legjendave italiane të futbollit, duke u futur në Hall of Fame.