“Nuk më besohej”, Ermal Krasniqi i emocionuar që do të luajë për Kosovën, komenton edhe ofertat e shumta - NACIONALE

“Nuk më besohej”, Ermal Krasniqi i emocionuar që do të luajë për Kosovën, komenton edhe ofertat e shumta

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Sulmuesi i Ballkanit, Ermal Krasniqi ishte një ndër prurjet më të reja te Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e nëntorit.

“Dardanët” zhvillojnë dy ndeshje kundër Armenisë, respektivisht Ishujve Faroe këtë muaj. Përzgjedhësi Alain Giresse këtë herë iu ka dhënë pushim shumicës së yjeve që ftohen zakonisht, duke ftuar lojtarë të rinj që të dëshmojnë kualitetin.

Një prej tyre ishte talenti i Ballkanit, Ermal Krasniqi i cili ka mahnitur të gjithë me paraqitje të shkëlqyeshme edicionin e kaluar dhe këtë sezon, e sidomos në Evropë, që ishte i papërmbajtshëm në rastet një kundër një.

Lidhur me ftesën e parë te Kosova, Krasniqi ka folur për Gazetën Nacionale, duke treguar se nuk e ka pritur dhe ndihet shumë i lumtur për ftesën.

Të them të drejtën në ato momente nuk më besohej (që jam ftuar te Kosova). Jam shumë i lumtur që mora këtë ftesë”.

24-vjeçari synon që në këto dy paraqitje ta dëshmojë kualitetin dhe të arrijë dy fitore, me shpresën që të merr ftesë edhe në ndeshjet e radhës.

Mendoj që pritshmeritë e tifozë janë të mëdha dhe shpresoj që të bëjë paraqitje sa më të mira, si dhe t’i gëzojmë tifozët me dy fitore”.

Synoj që ta shfrytëzoj rastin që më është dhënë, të bëjmë ndeshje të mira në mënyrë që të ftohem edhe në grumbullimet e radhës”, deklaroi fillimisht ai.

“Jam i gatshëm t’i bashkohem një klubi të madh në Evropë”

Paraqitjet e mëdha këtë edicion nuk i kanë ndihmuar Krasniqit vetëm që të merr ftesën e parë te Kosova, por edhe që të kërkohet nga klubet e mëdha evropiane.

Në fakt, ai është vetëm një ndër lojtarët e Ballkanit që mund të qëndrojnë në Suharekë vetëm deri në janar, pranë bashkëlojtarëve të tjerë si Albion Rrahmani, Armend Thaqi dhe Lindon Emërllahu.

Krasniqi ka konfirmuar interesimin e disa klubeve, derisa thotë se është i gatshëm për një aventurë tjetër.

Mendoj që më kanë ndihmuar shumë këto ndeshjet e zhvilluara në Evropë me Ballkanin, sepse tani ka gjasa më të mëdha që t’i bashkohem ndonjë klubi të madh në Evropë”.

Unë besoj që jam i gatshëm t’i bashkohem ndonjë klubi evropian. Oferta ka, por me këtë punë është duke u marrë menaxheri”, përfundoi ai për Nacionalen.

Brenda këtij edicioni, anësori i majtë ka zhvilluar plot 24 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar tetë gola (katër prej tyre në Evropë) dhe dhuruar pesë asistime në përgjithësi.

E mira e Krasniqit është që përpos pozitës së sulmit në krahun e majtë, luan edhe si sulmues i dytë dhe anësor i djathtë. Deri me tani, në "Transfermarkt", kartoni i tij vlerësohet prej 350 mijë euro.

Ndërsa, kontrata momentale i skadon më 30 qershor 2023.

Lajme të ngjashme