Novak Djokovici i humb shpresat se SHBA-ja do ta lejojë të marrë pjesë në US Open - NACIONALE

Novak Djokovici i humb shpresat se SHBA-ja do ta lejojë të marrë pjesë në US Open

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nuk ka asnjë shpresë se presidenti Joe Biden do t’i ndryshojë rregullat në kushtet e tanishme për hyrje në Shtetet e Bashkuara për ta lejuar Novak Djokovicin të luajë në US Open, sipas trajnerit të tenisit serb Goran Ivanisevic.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka futur një ligj i cili ua ndalon hyrjen në vend shtetasve të huaj që nuk janë plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19, raporton Nacionale.

Djokovici e ritheksoi se nuk e ka ndër mend ta marrë vaksinën për t’u futur në SHBA, pavarësisht se mungoi edhe në Australian Open, Indian Wells dhe Miami Open në fillim të këtij viti për shkak të qëndrimit kundër vaksinës.

Në SHBA është duke iu bërë thirrje presidentit Biden ta ndryshojë qëndrimin dhe ta lejojë tenisin serb të luajë në grand slamin e fundit të këtij viti.

Dhe derisa Ivanisevic nuk e hedh poshtë plotësisht mundësinë që fituesi i 21 titujve grand slam të marrë pjesë, ai nuk beson se presidenti Biden do të përfshihet.

“Gjithmonë ka shpresë”, tha Ivanisevic për La Repubblica.

“Novaku do të bëjë gjithçka për të qenë atje, mbase do ta marrë një vizë të veçantë. Por kanë mbetur vetëm edhe dy javë.”

Ai shtoi: “Unë kam zero shpresë se Joe Biden do ta ndryshojë ligjin para fillimit të turneut”.

Ish-tenisti kroat shkoi madje edhe ma larg duke e cilësuar si broçkull këtë ligj.

“Për mua është e pakuptimtë dhe broçkull. Nëse je i vaksinuar por pozitiv me virus mund të hysh në Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk je i vaksinuar por negativ, e ke të ndaluar hyrjen. Ka shumë politikë në sport”, nënvizoi ai.

Megjithëse është kritikuar fuqishëm për shkak të qëndrimit të tij kundër vaksinës, Djokovici asnjëherë nuk ka menduar të heqë dorë nga tenisi, thotë Ivanisevic.

“Nëse kjo do t’i kishte ndodhur një lojtari tjetër, 90% të rasteve ai do të kishte hequr dorë”.

“Por Nole është luftëtar i lindur, përveç që është gjeni i këtij sporti”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme