Nora Gjakova mbetet pa medalje në Botërorin e Xhudos në Katar
Nora Gjakova ka mbetur pa medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos Doha 2023, pasi pësoi disfatë në luftë për vendin e tretë kundër Mimi Huh.
Huh, nga Koreja e Jugut, e mundi kampionen olimpike nga Kosova në repechage duke shënuar pikë me wazzari në kategorinë -57 kilogramë.
Gjakova ishte në kërkim të titullit të parë të botës në karrierë, por nuk arriti të shkonte më shumë se në çerekfinale.
Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, ajo i fitoi dy rrethet pasuese kundër Thuanay David Capanni Dias dhe kundër Seija Ballhausit.
Por Gjakova pësoi kundër Hasret Bozkurtit në çerekfinale dhe me kaq morën fund shpresat e saj për medalje të artë.
Në mundësin e saj të dytë, për medalje të bronztë, kosovarja u mund edhe nga Huh në repechage.
30-vjeçarja e ka fituar një herë në karrierë medaljen e bronztë në botëror, më 2021.
Laura Fazliu dhe Loriana Kuka tani mbesin dy garueset e vetme nga Kosova ende në garë në Doha 2023.
Tre garues të tjerë të ekipit të Kosovës ranë nga gara herët sot gjatë ditës, Erza Muminoviq në rrethin e parë, Flaka Loxha në rrethin e dytë dhe Akil Gjakova në rrethin e tretë.
Kampionia tjetër olimpike e Kosovës, Distria Krasniqi, ishte afër medaljes por dështoi në fund.
Ajo arriti deri në gjysmëfinale, ku u mund nga fenomeni i ri i xhudos botërore, japonezja Uta Abe, ndërsa luftoi për medaljen e bronztë më vonë dhe pësoi disfatën e dytë të ditës.