Nora Gjakova e fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian, fiton ndaj gjermanes Ballhaus - NACIONALE

Nora Gjakova e fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian, fiton ndaj gjermanes Ballhaus

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nora Gjakova nuk është kthyer pa medalje nga Kampionati Evropian i xhudos, pasi ajo ka triumfuar në repesazh ndaj gjermanes Seija Ballhaus, për të fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 57 kilogram.

Gjakova e nisi shumë mirë rrugëtimin e saj drejt medaljes së artë, por u ndal në çerekfinale, ku u mposht nga Pauline Starke.

Raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin u përballë me polaken Arleta Podolak, të cilën e mposhti pasi kundërshtarja mori tre ndëshkime.

Në çerekfinale, siç u cek më lartë, humbi nga gjermania Starke me Waza-ari, nga ku i humbi shpresat për medalje të artë apo të argjendtë.

Humbja nuk ishte eliminim për kosovaren, pasi ajo siguroi repesazhin. Fillimisht ndeshjen e parë e kaloi pa u lodhur fare, pasi garuesja izraelite Timna Nelson Levy nuk u paraqit fare.

Në garën për medaljen e bronztë nga repesazhi, u takua me gjermanen tjetër Seija Ballhaus, të cilën e dominoi, megjithëse ndeshja vazhdoi për shumë gjatë edhe në Golden Score, ku Gjakova triumfoi me Waza-ari, për të fituar medaljen e bronztë.

Pas suksesit të madh, ku fitoi medaljen e artë në Baku Grand Slam, tani Nora ka vazhduar me formën e lartë, që është shpresëdhënëse për Lojërat Olimpike të vitit 2024.

Lajme të ngjashme