Nora Gjakova e fiton medaljen e bronztë në Azerbajxhan, të dytën radhazi pas rikthimit nga lëndimi - NACIONALE

Nora Gjakova e fiton medaljen e bronztë në Azerbajxhan, të dytën radhazi pas rikthimit nga lëndimi

4 javë më parë

nga NACIONALE

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin Baku 2022 në Azerbajxhan të premten, e cila është medalja e dytë e saj në turnetë grand slam pas rikthimit nga lëndimi i gjatë.

Kampionia olimpike e Kosovës Gjakova e mundi Mina Libeerin në luftë për medaljen e bronztë në kategorinë -57 kilogramë, raporton Nacionale.

Kjo është medalja e dytë brenda një jave e Gjakovës në turnetë grand slam, pas medaljes së argjendtë që e fitoi javën e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Xhudistja 30-vjeçare u rikthye nga lëndimi 15-mujor i gjatë dhe javën e kaluar garoi në Grand Slamin e Abu Dhabit për herë të parë që prej triumfit në Lojërat Olimpike të verës së kaluar në Tokio.

Në luftën për medaljen e bronztë në Azerbajxhan, Gjakova fitoi në kohën shtesë falë tri shidove (kartonë të verdhë) që i mori xhudistja blege.

24-vjeçarja, e cila po përballej për herë të parë me kampionen olimpike, ishte më agresive dhe pati disa tentime për ta hedhur në tatami kosovare, por Gjakova ishte shumë e suksesshme në parandalimin e tentimeve të saj.

Gjakova e humbi mundësinë për të luftuar për medalje të artë pasi pësoi disfatë në çerekfinale në përballje me Lele Nairnen, xhudisten britanike për të cilën triumfi ndaj kosovares ishte më i madh në karrierën e saj deri tani.

Paraprakisht, Gjakova e kishte kaluar rrethin e parë pa luftë dhe pastaj e kishte mposhtur Seija Ballhausin në rrethin e dytë.

Në ndeshjen e parë të repechage për medalje të bronztë, Gjakova e mundi italianen Veronica Toniolo.

Kjo ishte medalja e dytë e bronztë në turnetë grand slam për Gjakovën deri tani, ku i ka fituar edhe dy medalja të arta dhe një të argjendtë.

Ajo është vetëm njëra nga dy kosovaret pjesëmarrëse në Grand Slamin Baku sivjet.

Loriana Kuka do të garojë në kategorinë -78 të dielën.

Lajme të ngjashme