Neville edhe pasi Arsenali ia mposhti klubin: Manchester City e fiton Premierligën
Gary Neville po vazhdon të këmbëngul se Manchester City do ta mposhtë Arsenalin në garë për titull në Premierligë këtë sezon, pavarësisht se topçinjtë vijojnë të prijnë.
Arsenali është lider i Premierligës me pesë pikë më shumë se kampioni në fuqi City dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar, po ashtu.
Arsenali dha tjetër dëshmi të fortë në garën për titull duke e mposhtur Manchester Unitedin 3:2 në Emirates të dielën.
Por ish-mbrojtësi i Unitedit, Neville ende nuk është i bindur se skuadra e Mikel Artetës mund ta fitojë titullin, duke besuar se topçinjtë do të lëshojnë pikë në vazhdim dhe se City do t’i kalojë në renditje.
“Nuk mendoj se ata do ta fitojnë titullin. Mendoj se Manchester City do ta fitojë ligën sepse mendoj se ajo çfarë kanë ata është një ecuri e veçantë”, tha Neville për Sky Sports.
Ai shtoi: “Mendoj se do të vijë një çast gjatë sezonit kur Arsenali do ta humbë një ndeshje apo dy dhe Cityn do ta ketë në qafë dhe kjo do ta bëjë shumë të vështirë për të fitimin e titullit”.

Pasi e mundi Tottenhamin me rikthim të jashtëzakonshëm në ndeshjen paraprake, skuadra e Pep Guardiolës e vazhdoi ecurinë e mirë duke e shkatërruar Wolvesin 3:0 falë një het-triku të Erling Haalandit.
Për sulmuesin norvegjez ky ishte het-triku i katërt në 19 paraqitjet e tij të parë në Premierligë.
Arsenali dhe Manchester City do të përballen jashtë Premierligës këtë të premte, në rrethin e katërt të FA Cup.

