NBA: LA Lakers e LeBroni pësojnë humbjen e katërt radhazi, Duranti e humb duelin me Antetokounmpon
Në NBA gjatë natës së djeshme u zhvilluan në total 10 ndeshje, ku në sy ra humbja e katërt radhazi nga LA Lakers në krye me LeBron James që kësaj radhe u mposhtën nga Denver Nuggets me rezultat 110:99, ndërsa në ndeshjen tjetër të rëndësishme ndërmjet Milwaukee Bucks e Brooklyn Nets, të parët e fituan e rezultat të njëjtë 110:99.
Kjo humbje për Lakers, siç u tha është humbja e katërt me radhë në po aq ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri, duke vazhduar kështu serinë negative të rezultateve, ku e dimë mirë që sezonin që lamë pas kjo skuadër dështoi të marrë pjesë në play-off.
Denver Nuggets – LA Lakers
Ndeshja e zhvilluar në Pepsi Center të Colorados tregoi një ndeshje të mirë, ku vetëm në çerekun e tretë u arrit të bëhej dallimi, në të cilin Nuggets triumfuan me 15 pikë epërsi, 32:17, dallim ky që përcaktoi epilogun final 110:99.
Lojtari më i mirë në këtë takim ishte MVP-ja i sezonit të kaluar, serbi Nikola Jokic, që për shumë pak nuk arriti një dyshifror të trefishtë, duke realizuar 31 pikë, 13 rebounds, nëntë asistime dhe katër topa të vjedhur.
Një nga më të mirët e të gjitha kohërave që ende është aktiv, LeBron James, as këtë ndeshje nuk arriti ta shtrijë ndikimin e tij, ku pati paraqitjen më të dobët deri më tani në këto katër ndeshje, me 19 pikë, shtatë rebounds e nëntë asistime, me një saktësi në gjuajtje relativisht të ulët prej 38 %.
Milwaukee Bucks – Brooklyn Nets
Ndeshje tjetër interesante u zhvillua në Fiserv Forum në Wisconsin, ku në duelin Kevin Durant – Giannis Antetokounmpo, fitues doli ky i fundit.
Kjo ndeshje pati uljet e ngritjet në periudha të caktuara të dy skuadrave. Teka në çerekun e dytë dominoi Nets, në dy çerekët e fundit shumë të më mirë ishin Bucks që erdhën deri te fitorja e tretë në këtë sezon në po aq ndeshje.
Lojtari grek si gjithnjë ishte më i dalluari, ku u paraqit me 43 pikë, 14 rebounds, pesë asistime e 3 bllokada, me një saktësi 64 % në gjuajtjet për dy dhe tre pikë.
Në anën tjetër, përkundër paraqitjes së mirë të Kevin Durant me 33 pikë, gjashtë rebounds e tre asistime, nuk mjaftoi për Nets që të arrinin të barazonin rekordin në këtë sezon, duke çuar serinë në një fitore e tre humbje.
Ndeshjet tjera gjatë mbrëmjes
Cleveland Cavaliers 103:92 Orlando Magic;
Atlanta Hawks 118:113 Detroit Pistons;
Charlotte Hornets 131:134 New York Knicks;
Philadelphia 76ers 109:119 Toronto Raptors;
Indiana Pacers 109:124 Chicago Bulls;
San Antonio Spurs 122:134 Minnesota Timberwolves;
Houston Rockets 101: 109 Utah Jazz;
Miami Heat 119:98 Portland Trail Blazers.

