Napoli regjistron fitoren e radhës, thellon distancën në tabelë me skuadrat ndjekëse - NACIONALE

Napoli regjistron fitoren e radhës, thellon distancën në tabelë me skuadrat ndjekëse

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në Serie A, duke mposhtur 3:2 Udinesen. Gjithmonë e më lider pas kësaj fitore, pasi distanca ndjekësin e parë, Milanin, është prej 11 pikëve.

Tifozët e Napolit po shijojnë një futboll spektakolar që po ia dhuron ekipi i tyre i zemrës. Edhe sot Napoli nuk i kursye aspak. Sado që Botërori është afër dhe shumë ekipe nuk po arrinë të nxjerrin më të mirën prej lojtarëve të tyre, të njëjtin problem nuk e ka edhe Napoli.

Udinese dy golat në ndeshje i shënoi në fund të ndeshjes, pasi deri në minutën e 79-të rezultati ishte 3:2.

Në këtë ndeshje shkëlqeu përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut, Eljif Elmas, duke shënuar një gol dhe një asist.

Raporti i ndeshjes Napoli 3:2 Udinese

Ekipi i Luciano Spalletit sfidën e sotme e nisi me filozofinë e njëjtë, duke mbizotëruar që nga fillimi i ndeshjes, në përpjekje për ta zhbllokuar sa më parë rezultatin.

Goli i epërsisë erdhi në minutën e 15-të. Një harkim i bukur i Elmasit e gjeti të lirë në zonë sulmuesin Osimhen. 23-vjeçari goditi saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë për 1:0.

Pjesa e parë vijoi të luhej figurativisht thënë “në një portë të vetme”, pasi Napoli nuk u mjaftua me kaq, duke bërë të pamundurën që të vazhdonte me avazin e njëjtë të prodhimit të volumit të lojës.

Dyfishimi i epërsisë erdhi pas diç më shumë se një çerek lojë qëkur u shënua goli i parë. Në minutën e 31-të Zielinski konfirmoi formën magjike në të cilën po kalpon, duke shënuar një gol kryevepër në kufinjtë e zonës së rreptësisë.

Në pjesën e dytë Udinese filloi të jepte disa shkëndija, duke provuar që të rikthehej në lojë me shënimin e një goli.


Kështu, në skenë doli Elmas në minutën e 58-të për ta thelluar epërsin për skuadrën e tij. Ai me një slalom të bukur në brendi të zemrës së zonës kundërshtare shmangi bukur mbrojtësit e Udineses, duke finalizuar për mrekulli për 3:0.

Një driblim dehës, i finalizuar me një goditje të mençur – ngriti në këmbë të gjithë tifozët e Napolit në “Diego Armando Maradona”.

Napoli filloi që të futej në një rehati të tepruar, duke lëshuar terren për mysafirët. Kësisoj, Nestorovski në minutën e 79-të përmes një goditje të bukur brenda 16-metërshit ngushtoi disavantazhin në 3:1.

Stadiumi “Diego Armando Maradona” u hesht pak më shumë pas tre minutash lojë, kur mesfushori Samardzic shënoi me anë të një goditje të bukur për 3:2.

Me këtë rezultat mbaroi tërë ndeshja, edhe pse pati disa përpjekje nga Udinese që ta gjente mrekullisht edhe golin e barazimit.

Napoli u shkëput edhe më shumë në tabelë pas kësaj fitore, duke shkuar në +11 pikë nga Lazio dhe Milani që ndjekin nga mbrapa.

Skuadra e Spallettit ka shkuar në kuotën e 41 pikëve në renditjen tabelore, kurse Udinese vijon të çalojë shumë pas një fillimi mahnitës që pati bërë në kampionat, duke u renditur në pozitën e 8-t me 24 pikë.

Lajme të ngjashme