Ylli i Napolit: Nga Kosova deri te Maqedonia e Veriut - vijmë nga vende të vogla, por me zemër të madhe
Mesfushori ofanziv i Napolit, Eljif Elmas, ka folur për radion zyrtare të Napolit, duke vënë theksin te prejardhjet e ndryshme që kanë futbollistët e klubit, të cilën e vlerësoi si pasuri. Aty përmendi edhe Kosovën.
Elmas edhe pse nuk është lojtar titullar, është prej më të dashurve te Napoli, për shkak se sa herë që inkuadrohet në fushë jep maksimumin prej vetës, duke dhënë kontribut të çmuar.
Ai foli për “Radio Kiss Kiss” në lidhje ëndrrat që kanë fëmijët nga shtetet e vogla, ku përmendi edhe Kosovën, duke lidhur këtë me ambicien e Napolit për ta fituar titullin kampion.
“Edhe ne kur ishim fëmijë kishim një ëndërr. Të gjithë futbollistët kanë një ëndërr, si ata që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Sllovakia apo Gjeorgjia. Janë vende të vogla, por me zemër të madhe. Si rrjedhojë, të gjithë ëndërrojmë diçka”, tha ai.
23-vjeçari është përqafësues i Maqedonisë së Veriut, por dihet se ka prejardhje etnikisht shqiptare. Ai ka vendosur që ta përfaqësojë kombëtaren maqedonase, me të cilën luajti edhe në një ngjarje shumë të madhe sportive siç ishte Evropiani 2020.

Shpresat për ta fituar titullin me Napolin
Napoli për momentin zë vendin e parë në tabelë me 38 pikë. Epërsia ndaj ndjekësit kryesor, Milanit, është e konsiderueshme: 8 pikë. Andaj, edhe shpresat janë rritur në ambientin napoletan se titulli do të mund të fitohet. Titull që në qytetin bregdetar jugor mungon nga sezoni 1989-1990, në kohën kur legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona, shkruante historinë e klubit.
Janë vetëm dy titujt e fituar në historin e klubit. Elmas shpreson shumë që një histori të tillë do të mund ta shkruajnë këtë sezon nën drejtimin e Luciano Spallettit.
“Shpresojmë që ta shkruajmë historinë për këtë qytet, së bashku me tifozët tonë të dashur. Shpresojmë që të vazhdojmë kësisoj deri në fund të sezonit”, tha ai.
Pas lëndimit të Kvaratskhelia, Elmas luajti në një ndeshje shumë të ndërlikuar çfarë ishte ajo në Bergamo më 5 nëntor kundër Atalantas, që u fitua me përmbysje 2:1.
Lojtari që vulosi atë fitore ishte pikërisht Elmas, me golin që shënoi përmbysjen në ndeshje. Ndeshja në fjalë llogaritet si prej më vendimtareve në rrugëtimin e Napolit drejt ambicies për të triumfuar me titull kampion në Serie A.

Elmas në këtë sezon ka zbritur në fushë vetëm tri herë nga minuta e parë, duke u përdorur më shumë si lojtar që inkuadrohet në pjesët e dyta të ndeshjeve.
Në Serie A gjatë trembëdhjetë (13) ndeshjeve të luajtura ka shënuar dy gola. Kur u transferua nga Galatasaray në vitin 2019 hasi në disa vështirësi deri sa gjeti ambientimin e favorshëm.
Ardhja e Luciano Spallettit, si shumë lojtarëve, edhe atij i ka ndihmuar që të përshtatet për mrekulli në skemat e ekipit, duke qenë një lojtar shumë i rëndësishëm.
Kontrata e tij me Napolin skadon në fund të qershorit të vitit 2025. Aktualisht nuk ka asnjë indikator që mund të japë ndonjë përshtypje se ai do të largohet nga klubi.

