Napoli ia mbyll sërish derën Ronaldos, insiston se nuk e do në skuadër - NACIONALE

Napoli ia mbyll sërish derën Ronaldos, insiston se nuk e do në skuadër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Napolit, Cristiano Giuntoli, sërish është pyetur në lidhje me një mundësi të afrimit të Cristiano Ronaldos. Ai edhe një herë ka shfrytëzuar rastin që t’i përgënjeshtrojë të gjitha këto zëra.

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, është duke kaluar momentin e vet më të errët të karrierës. Pas një insistimi të madh për të gjetur një klub të ri gjatë afatit kalimtar veror – pasuan javë dhe muaj të vështirë nën drejtimin e trajnerit të ri të “djajve të kuq”, Ten Hag.

Ronaldo u transformua në një lojtar stoli. Kjo krizë e portugezit sërish ka bërë që të ngritën tezat e një kalimi të tij të mundshëm te Napoli.

Drejtuesit e klubit italian vijojnë ta mbajnë një qëndrim uniform në lidhje me këtë çështje, duke ia mbyllur sërish dyert lojtarit portugez.

Deklarata e plotë e drejtorit të Napolit

Drejtori i klubit, Cristiano Giuntoli, edhe një herë ia mbylli dyert Ronaldos për një transferim të mundshëm në stadiumin “Maradona”.

“Mund të jem njeri që po i përsëris fjalët, por në këtë moment njëmend jemi duke menduar vetëm për gjërat e tanishme dhe jo për afatin kalimtar. Dhe, nëse veç më duhet të mendoj për afatin kalimtar janar mund të them se nuk do të bëjmë ndonjë investim, sepse nuk shoh çfarë ka nevojë të ndërhyjmë në këtë skuadër. S’ka asgjë për të sistemuar”, nënvizoi ai, mohuar se kanë ndonjë interesim për Ronaldon që ta afrojnë në janar.

Madje, Giuntoli mendon se skuadra e tij nuk ka nevojë të bëjë çfarëdo afrimi potencial, ngase nuk sheh çalesa në organikën e ekipit të vet.

“Gjërat po shkojnë aq mirë, lojtarët po bëjnë paraqitje aq të mira, saqë sot për sot jemi të mendimit që nuk do të angazhohemi në afatin e ardhshëm kalimtar (duke iu referuar atij dimëror)”, deklaroi ai.

Në të vërtetë çdo gjë po shkon në rrugën e duhur në kampin e Napolit. Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti ka siguruar dy që në xhiron e kaluar kualifikimin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Pavarësisht kësaj, edhe sot gjeti forcat e duhura për të shënuar një tjetër fitore bindëse, duke mposhtur 3:0 Rangersin.

Vendin e parë Napoli e mban edhe në kampionatin italian. Pas fitoreve në “San Siro” dhe “Olimpico” ndaj Milanit, respektivisht Romës – ia ka vendosur vetes një kandidaturë serioze në garë për titull.

Ndërkaq për Cristiano Ronaldon mbetet akoma e paqartë se çfarë do t’i rezervojë e ardhmja e afërt. Atij i skadon kontrata me Manchester Unitedin në fund të sezonit.

Krisja e raporteve me trajnerin dhe ambientin është gjë lehtë e vërejtshme, posaçërisht pas largimit që bëri pesë herë fituesi i Topit të Artë nga fusha javën e kaluar ndaj Tottenhamit në minutën e 89-të, që pasoi edhe me pezullim të përkohshëm nga ekipi dhe mosgrumbullim për sfidën ndaj Tottenhamit.

Pa marrë parasysh ndodhive të fundit, Ten Hag këmbëngul se ka dëshirë që ta ketë Ronaldon deri në fund të sezonit.

Cristiano Ronaldo është rikthyer në stërvitje me ekipin e parë të Manchester Unitedit të martën dhe ka mundësi të mirë të paraqitet kundër Sheriff Tiraspolit të enjten në Ligën e Evropës.

Lajme të ngjashme