Cristiano Ronaldo rikthehet në stërvitje me klubi pak ditë pasi u përzë
Cristiano Ronaldo është rikthyer në stërvitje me ekipin e parë të Manchester Unitedit të martën dhe ka mundësi të mirë të paraqitet kundër Sheriff Tiraspolit të enjten në Ligën e Evropës.
Sulmuesi portugez ishte përzënë nga stërvitjet me ekipin e parë nga trajneri Erik ten Hag dhe nga ndeshja e Unitedit kundër Chelseat, e cila mbaroi baras, si ndëshkim që nuk pranoi të futej në lojë si zëvendësues në fitoren kundër Tottenhamit dhe që u largua nga fusha dhe stadiumi ende pa përfunduar ndeshja.
Ronaldo dhe Ten Hag kanë qenë në bisedime të vazhdueshme që prej atëherë dhe trajneri holandez vendosi se ishte koha e duhur ta kthejë 37-vjeçarin në skuadër.
Ditë më parë, Ten Hagu tha se ishte përgjegjësia e tij të vendosë standarde dhe vlera kur vendosi të ndërmarrë veprime disiplinore ndaj Ronaldos javën e kaluar.
Ronaldo nuk kërkoi falje kur mori përgjegjësinë për veprimet e veta përmes një shkrimi në rrjetet sociale të enjten e kaluar, duke thënë se reagimi i tij ishte “i momentit”.

Ai e bëri një postim tjetër më vonë duke thënë: “Forca ManchesterUnited”, pak para fillimit të ndeshjes në Stamford Bridge të shtunën.
Ronaldo pritet të thirret dhe mbase të luajë titullar kundër Sheriffit në Ligën e Evropës të enjten, duke qenë se ai ka luajtur titullar në të gjitha ndeshjet e Unitedit në Evropë deri tani këtë sezon. Në Premierligë, megjithatë, ai ka luajtur titullar në vetëm dy ndeshje deri tani.
Ai shënoi gol kundër Sheriffit kur këto dy skuadra u takuan në Moldavi në shtator.
Për Ronaldo raportohet se mund të largohet në janar, për shkak të pakënaqësive që e ka humbur vendin e titullarit nën urdhrat e Ten Hagut.
Ka thashetheme se ai mund t’i bashkohet Napolit – liderit të Serie A – nëse pranon ta ulë pagën e lartë që ka në Old Trafford.

