Napoli merr fitoren e radhës në Serie A, mposht Salernitanën dhe ‘mbretëron’ në renditje
Lideri aktual i Serie A-së ka arritur te fitorja e radhës në kampionat, duke mposhtur Salernitanën me rezultat të pastër 2:0 dhe momentalisht është 12 pikë larg vendit të dytë, Milanit, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Salernitana që u bë lajm i mediave italiane pak ditë më parë, për shkarkimin dhe riemërimin e trajnerit të njëjtë brenda pak ditëve, nuk po kalon sezon të mirë, duke u gjendur te pjesa e fundit e tabelës, ashtu siç luftoi për mbijetesë edhe sezonin e kaluar deri në frymën e fundit.
Një gol në pjesën e parë dhe një në të dytin ishin të mjaftueshëm për tre pikët e radhës për napolitanët.
Finita ✅
— Official SSC Napoli (@sscnapoli) January 21, 2023
95’ | #SalernitanaNapoli 0-2
💙 #ForzaNapoliSempre pic.twitter.com/xpET7KzEp2
Ashtu siç pritej, Napoli, ishte skuadra dominuese në fushë, duke krijuar më shumë raste shënimi e gjithashtu pati posedimin e topit 75% gjatë 90 minutave.
Goli i parë erdhi nga Giovanni Di Lorenzo në minutat shtesë të pjesës së parë, pas asistimit të Frank Anguissa.
Me rezultatin 1:0, dy skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.
Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 48-të, ishte sulmuesi nigerian, Victor Osimhen, ai që shënoi për 2:0, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon këtë sezon, që ishte goli i 13-të, krahas edhe tre asisteve.
Salernitana pati vetëm një rast të mirë në ndeshje dhe atë në fund të takimit, por pritja vendimtare e Alex Meret, bëri që porta të mbetej e paprekur.
Me rezultatin 2:0, përfundoi takimi dhe tani Napoli ka 50 pikë pas 19 ndeshjeve, ndërsa Salernitana me vetëm 18 pikë në vendin e 16-të në po aq ndeshje.
