Napoli me Rrahmanin drejt titullit kampion, shkatërron Juventusin 5-1 - NACIONALE

Napoli me Rrahmanin drejt titullit kampion, shkatërron Juventusin 5-1

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli ka bërë një hap gjigant drejt titullit kampion, pasi mposhti me rezultat të thellë 5:1 Juventusin. Tani dallimi mes dy skuadrave ka kaluar në 10 pikë. Në këtë ndeshje shënoi gol edhe kapiteni “dardan”, Amir Rrahmani.

Skuadra e Luciano Spallettit ka dhuruar një shfaqje të jashtëzakonshme në prani të shikuesve të saj të flakët, duke mposhtur rivalin kryesor për titull, gjegjësisht Juventusin. Dhe, jo një fitore dosido, por një fitore me një rezultat shkatërrues prej 5:1.

Vendësit ishin mbizotërues në lojë që prej fillimit të ndeshjes. Kështu, pa kaluar mirë një çerek lojë, erdhi edhe goli i zhbollikimit të rezultatit.

Atë e shënoi në minutën e 14-t Osimhen, duke u gjendur më së miri në zonë, pas një pritje që bëri Szczesny ndaj goditjes së Kvaratskhelias.

Pikërisht ky i fundit shënoi golin e dyfishimit të rezultatit. Fenomeni gjeorgjian në minutën e 39-të shfrytëzoi një huti të mbrojtjes së Juventusit, duke liruar një të djathtë të saktë, që përfundoi në këndin e djathtë të portës kundërshtare për 2:0.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, gjegjësisht në minutën e 42-të, Di Maria me një lëvizje prej kampioni gjeti hapësirën e duhur për vete dhe shënoi për 2:1, duke ngushtuar kështu rezultatit.

Pjesa e dytë sërish nisi me mbizotërimin e qartë në lojë nga Napoli. Dhe, qershia mbi tortë erdhi në minutën e 55-të. Mbrojtësi 28-vjeç i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, pas një këndore të ekzekutuar për mrekulli nga Kvaratskhelia, koordinoi një godite mbresëlënëse me të djathtën e tij.

Ky ishte goli i parë në sezonin e sivjetëm për të. Gol i veçantë, që riktheu Napolin në kapitalin prej dy golave në favor të vet.

Nga ky moment gjithçka ishte më e thjeshtë për nikoqirët. Ishte sërish sulmuesi i hatashëm nigerian, Osimhen, ai që në minutën e 65-të shënoi golin e radhës, për 4:1. Në rolin e asistuesit sërish u vu në pah gjeorgjiani i pandalshëm, Kvaratskhelia.

Me kaq nuk mjaftoi Napoli. Në minutën e 72-të erdhi goditja e radhës për “Zonjën e Vjetër”. Kësaj radhe golin e shënoi Elmas. Përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut u lirua mirëfilltazi në zonë, duke goditur saktë. Goditje që përfundoi brenda katërkëndëshit.

Me këtë epilog përfundoi edhe ky derbi, i cili vulosi formën e jashtëzakonshme që po kalon këtë sezon Napoli. Kurse, në anën tjetër, vuri në pah të gjitha të metat që po e shoqërojnë Juventusin në sezonin aktual, pavarësisht një serie të mirë të rezultateve që e kishte gëzuar deri më sot.

Napoli tani është ngjitur në kuotën e 47 pikëve, duke u renditur në pozitën e parë tabelore. Kurse Juventus pason me 10 pikë më poshtë, me pikë të barabarta me Milanin.

Përmbledhja e ndeshjes Napoli - Juventus:

Lajme të ngjashme