Munishi: Unë jam trajneri më i mirë në Kosovë, po të ishim në një vend normal, do të trajtoheshim ndryshe - NACIONALE

Munishi: Unë jam trajneri më i mirë në Kosovë, po të ishim në një vend normal, do të trajtoheshim ndryshe

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi, ka shpërthyer pas ndeshjes ndaj Llapit të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 2:0. Ai tha se ndeshjet e humbura i kanë luajtur më mirë se në këtë fitore, por tjerë faktorë kanë ndikuar në ato rezultate, ndërsa ka ripotencuar se ai është trajneri më i mirë në Kosovës, duke thënë se në një vend normal, ai dhe klubi i tij do të duhej të trajtoheshin ndryshe.

Sa i përket ndeshjes, Munishi tha se në këtë ndeshje patën koncentrim më të lartë, duke i përgëzuar lojtarët për angazhimin në fushë.

“Sot besoj se ishte niveli i koncentrimit më i lartë, sepse ne kemi pësuar nga gabimet individuale dhe nga disa gabime tjera që nuk po dua t’i përmendi se jemi bërë bajat t’u e përmend. Ishte koncentrimi i madh, dëshira për fitore e madhe, i përgëzojë lojtarët për angazhimin e treguar. Ndeshjet që i kemi humb ne i kemi humb duke i dominuar ndeshjet edhe pse i kemi luajtur më mirë se kjo, por ne nuk mundemi të gjithë faktorët t’i ndryshojmë e t’i sjellim nga Japonia e vende tjera.”

Trajneri Ismet nuk e la pa përmendur sërish gabimet e gjyqtarëve, ani pse pa i përmendur, por duke aluduar në vendimet e tyre në ndeshjet e fundit që Prishtina ka pësuar humbje.

“Mua më ka ardhur keq prej futbollistëve, sepse i kemi humb tri ndeshje duke i dominuar, duke harxhuar shumë mund, dhe ne si klub duhet të mobilizohemi më tepër, jo te futbollistët por diku tjetër. Duhet të kemi drejtësi në futboll, nëse protagonist bëhet dikush tjetër, atëherë është problem. Sot fituam ndeshje ndaj një kundërshtari të vështirë, Llapi ka qenë pa humbje deri këtu. Paramendojeni sa vyen energji te lojtarët dhe trajneri që pas atyre humbjeve të vijë te fitorja, pas tërë atij presioni. Unë vazhdoj të them se jam trajneri më i mirë në Kosovë, për çdo gjë le të më atakojnë, por unë me futbollistët jemi shtylla më e fortë e këtij klubi e unë jam shtyllë shumë e fortë e futbollit të Kosovës. Me qenë vend vendi normal, ndryshe duhet me trajtuar, unë personalisht, klubi i Prishtinës. Duhet të ngritët vetëdija në futbollin tonë.”

Lajme të ngjashme