Mungesa të mëdha te Ballkani: Lindon Emërllahu dhe Qëndrim Zyba nuk luajnë ndaj Borisovit
Trajneri i Ballkanit Ilir Daja ka konfirmuar se dy mesfushorët Lindon Emërllahu dhe Qëndrim Zyba nuk do të jenë të gatshëm të luajnë ndaj Bate Borisov.
“Xhebrailat” janë 180 minuta larg fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, ku përballen me gjigantin nga Bjellorusia.
Ballkani nuk do ta ketë aspak të lehtë meqenëse është pa Emërllahun dhe Zybën që kanë qenë kyç në këtë sezon, gjë që e konfirmoi Daja në konferencë për shtyp.
“Largimi i Albion Rrahmanit, lëndimi i Lindon Emërllahut dhe i Qëndrim Zybës bëjnë që Ballkani të mos jetë në formën optimale për këtë sfidë. Gjithsesi kjo nuk do të jetë për justifikim sepse ne duam të japim më të mirën nesër”, u shpreh shkurtimisht tekniku shqiptar.
Derbi mes Ballkanit dhe Borisov shihet si i barabartë, duke marrë parasysh se të dy skuadrat kanë gjasa reale për kualifikim.
Në fakt, të dy klubet do të kenë kohë të pushojnë edhe për ndeshjen kthyese meqenëse dy Federatat respektive ua kanë aprovuar kërkesat për shtyrjen e ndeshjeve të ligës.
Ballkani në vikend ishte paraparë të luante ndaj Dritës mirëpo FFK aprovoi kërkesën e kampionit duke e shtyrë derbin në një datë të pacaktuar.
Ndeshja e parë e Ballkanit ndaj Borisovit zhvillohet në “Fadil Vokrri” këtë të enjte me fillim nga ora 20:45.

