Mision i kompletuar: Majlinda, Distria, Nora, Laura e Driton Kuka pozojnë me medalje pranë rrathëve olimpik - NACIONALE

Mision i kompletuar: Majlinda, Distria, Nora, Laura e Driton Kuka pozojnë me medalje pranë rrathëve olimpik

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mision i kompletuar. Kështu e ka titulluar Driton Kuka rrugëtimin e tyre, pasi ia sollën Kosovës pesë medalje në tri paraqitje në Lojërat Olimpike, me dy të fundit që erdhen nga PARIS 2024.

Majlinda Kelmendi e theu akullin për Kosovën, duke u bërë e para garuese që fiton një medalje për shtetin tonë në Lojërat Olimpike, kur u stolis me të artën në RIO 2016.

Rrugën e Majlindës e trasuan Distria Krasniqi e Nora Gjakova në Tokio 2020 (që u mbajtën në vitin 2021). Të dy xhudistet fituan nga një medalje të artë, për ta çuar numrin e medaljeve në tri në total. Diçka e madhe për një shtet të vogël.

Se Kosova është shtet i Xhudos u tregua edhe tani në Lojërat Olimpike PARIS 2024.

Distria Krasniqi ishte e para që doli në skenë, ku tregoi paraqitje fantastike deri në finale të kategorisë së saj, në fund për t'u stolisur me medalje të argjendtë, duke u bërë kështu garuesja e vetme që fiton medalje olimpike në dy kategori të ndryshme në Olimpiadë.

Misionin e kompletoi Laura Fazliu. Garuesja nga Mitrovica tregoi potencialin e saj, duke bërë paraqitje të denjë dhe në fund për të arritur te medalje e shumë kërkuar olimpike, që ishte e bronztë.

Akil Gjakova ishte afër medaljes gjithashtu, por përkundër paraqitjeve të mira deri në gjysmëfinale, aty më pastaj dështoi në dy paraqitjet e radhës, për të mbetur në vendin e pestë. Në anën tjetër, Nora Gjakova, u eliminua në raundin e parë, ndërsa Loriana Kuka e fitoi një përballje teksa humbi në tjetrën dhe më pastaj njoftoi pensionimin nga Xhudo.

Kështu Kosova gëzon pesë medalje olimpike tani, krejt falë sportit të Xhudos. Tri medalje të arta, një të argjendtë dhe një e bronztë, është rezultat të cilin ia kanë më shumë se gjysma e shteteve lakmi Kosovës.

Në fund erdhi koha për pozimin e premtuar para rrathëve olimpik. Driton Kuka, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Laura Fazliu u shfaqën me medalje pranë rrathëve olimpik, duke treguar numrin pesë me duar - numrin e medaljeve të Kosovës në Lojëra Olimpike që lidhet me numrin e rrathëve olimpik.

Lajme të ngjashme