Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike
Pas të artës që e fitoi para katër viteve, xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Krasniqi ishte fantastike në kategorinë deri në 52 kilogramë, por që në finale u mposht nga numri 1 në këtë kategori, xhudistja nga Uzbekistani Diyora Keldiyorova.
Krasniqi e nisi më mirë përballjen ndaj kundërshtares, por pastaj presioni duket se iu rrit ku edhe gaboi, me Keldiyorovan që kaloi në epërsi përmes një “wazzari”.
Xhudistja e Uzbekistanit pastaj vetëm arriti të mbrohej për ta mbrojtur rezultatin dhe në fund iu gëzua fitores.
Rrugëtimi i Krasniqit drejt medaljes
Distria Krasniqi falë renditjes (pra si numri 2 në botë) e kaloi raundin e parë pa lojë, ndërsa në të dytin e rrahu keq, pra iu nevojiten vetëm 35 sekonda për ta mposhtur xhudisten nga Indonezia Maryam Mahrani.
Në të njëjtën mënyrë, pra me stil dominues Krasniqi vazhdoi edhe në çerekfinale, ku brenda një minute regjistroi edhe një tjetër IPPON. Këtë herë kundër xhudistes nga Izraeli Gefen Primo.
Në gjysmëfinale, Krasniqi kishte punë me numrin tre të botës, italianen Odette Guiffrida, të cilën e mposhti muaj më parë edhe për titullin e kampionit të Evropës.
Xhudistja kosovare ishte prapë më agresive duke i bërë presion italianes, që mori tre kartonë të verdhë, andaj me rregulla të xhudos fitorja shkoi te Krasniqi.
Në finale, Krasniqi kishte përballjen e vështirë kundër xhudistes nga Uzbekistani, ku fatkeqësisht s’arriti ta rrëzonte për ta fituar të artën.
Kujtojmë, Kosova ka ende gjasa për të fituar medalje tjera në Lojërat Olimpike, përmes xhudistëve tjerë si Akil e Nora Gjakova, Loriana Kuka si dhe Laura Fazliu.
Kosova medalje është duke synuar edhe përmes boksieres Donjeta Sadiku, e cila nesër do të tentojë kualifikimin në çerekfinale të Lojërave Olimpike “Paris 2024”.
Përndryshe, për Kosovën kjo është medalja e katërt në histori në Lojërat Olimpike.