Ministri Çeku: Tani është urgjente që çështja e vendosjes së kamerave në palestra dhe fushat e futbollit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se do të vendoset sistemi i kamerave në palestra dhe stadiumet e futbollit.
Në një intervistë për “Klan Kosova”, Çeku bëri me dije se këshilli ka marrë disa vendime, një ndër to që më urgjentet është vendosja e kamerave në palestra dhe stadiumet e futbollit.
"Një pamje e turpshme, një fatkeqësi që për fajin e disave po e pësojmë të gjithë. Ne kemi këshillin tonë që në përbërje ka prokurorë, zyrtarë të policisë, përfaqësues të komitetit olimpik dhe që është i mandatuar për parandalimin e dhunës. Ky këshill është mjaftë aktiv dhe rregullisht procedon raste të dhunës në sport ose dukurive të tjera relevante, por mbetet shumë punë për t'i sanksionuar, pra dënimet meritore për ata që prishin sport".
"Kemi nisur menjëherë komunikimin menjëherë pas asaj që ndodhi, duke marrë informata. Fati i mirë ka qenë që në ndeshje kanë qenë edhe dy prokurorë, të cilët e kanë parë nga afër. I kemi mbledh të gjitha videot e asaj që kanë ndodhur. Këshilli është takuar menjëherë, ku janë dhënë disa rekomandime".
"Këshilli i ka nxjerrë katër rekomandime, e para thotë kështu: Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarë do shenje dalluese e të gjitha tifozëve në ndeshje të basketbollit që organizohen nga FBK deri në një njoftim tjetër".
"Rekomandimi i dytë: Kërkohet nga të gjitha grupet e tifozëve që nuk janë të organizuar në OJQ, që ta bëjnë sa më parë, pasi është vështirë të objektohet subjekti nga i cili po shikohet".
"E treta, kërkohet nga Federata e Basketbollit të Kosovës të aplikojë me rigozitetin maksimal në të gjitha dispozitat normative përkatëse që janë në kuadër të garave, pra këtu ka detyrë shumë edhe Federata, në atë se çfarë ka ndodhur mbrëmë".
"Dhe e fundit, këshilli kërkon nga ministria e Sportit që ta përfshijë në planifikimin buxhetor të vitit 2023, vendosjen e sistemin e kamerave në të gjitha palestrave sportive, e në vazhdim të bëhet edhe në fushat e futbollit. Ky rasti i fundit tashmë e bënë urgjente, çështjen e vendosjes së kamerave të sigurisë në të gjitha palestrat e mbyllura, në të gjitha fushat e futbollit".
Kujtojmë, dje kishte probleme të mëdha gjatë finales të Superkupës së Kosovës, mes Prishtinës dhe Trepçës, ku tifozët hodhën mjete piroteknike në fushë, si dhe më vonë ‘luftuan’ mes vete, ku si pasojë mbeten katër zyrtarë policorë të lënduar.

